Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Ngrirja e fondeve të USAID po dëmton miliona gra dhe vajza

QIKA 14.2.2025

Miliona gra dhe vajza në botë po dëmtohen nga mbyllja e klinikave dhe ndërprerja e kujdesit shëndetësor si pasojë e ngrirjes së fondeve të USAID nga administratat e re amerikane.

Organizatat ndërkombëtare shëndetësore kanë paralajmëruar se urdhëri për ndalimin 90-ditor të punës të thotë se shumë klinika në mbarë botën do të mbyllen dhe kujdesi jetësor do të ndërpritet, si dhe që bashkë me urdhërin që ndalon diversitetin, barazinë e gjithëpërfshirjen po shkatërrohen programe që lehtësojnë jetën e miliona grave dhe vajzave në botë.

Ofruesit e kujdesit thanë se një urdhër ndalimi 90-ditor i vendosur nga Departamenti i Shtetit për të “rishikuar” kontratat për pajtueshmërinë me urdhrat e administratës së re do të thotë që shumë klinika, të cilat funksionojnë me buxhete të kufizuara, nuk do të rihapen kurrë – duke ndalur shërbimet për çdo gjë, nga skriningu i kancerit të qafës së mitrës, trajtimi i HIV-it e deri te pajisjet kontraceptive intrauterine.

“I gjithë ekosistemi po shkatërrohet,” tha Dr Carole Sekimpi, një mjeke në Ugandë dhe drejtore e lartë për Afrikën me MSI Reproductive Choices, një organizatë jofitimprurëse me bazë në Mbretërinë e Bashkuar që ofron shërbime të planifikimit familjar në të gjithë botën dhe e cila pret të humbasë 14 milionë dollarë nga fondet e SHBA.

Ndërprerja ka mbjellë gjithashtu mosbesim, tha ajo, pasi gratë kishin planifikuar kujdesin shëndetësor dhe “një ditë u ngritën një mëngjes dhe nuk kishte kurrfarë kujdesi dhe klinikat ishin mbyllur.”

SHBA siguron 8.2 miliardë dollarë çdo vit për ndihmën e huaj humanitare, rreth 1% e shpenzimeve totale të SHBA. Ato para mbështesin programe që prekin jetën e dhjetëra miliona njerëzve në mbarë botën, veçanërisht në vendet me sisteme të dobëta shëndetësore ose që janë me rëndësi strategjike, si Sudani, Uganda dhe Ukraina.

“A mund ta imagjinoni nëse je grua që i duhet ndihmë dhe klinika është e mbyllur?” tha Elisha Dunn-Georgiou, presidente dhe CEO e Këshillit Global të Shëndetit. “Nuk mund të marrësh trajtim e as kujdes, sepse Amerika ka vendosur që nuk je e denjë. Kjo është e pakuptueshme.”

Pavarësisht ndihmës së siguruar nga Kongresi, kur Trump hyri në detyrë, ai urdhëroi ngrirjen e të gjithë ndihmave të huaja amerikane deri në rishikim të kontratave.  Megjithatë departamenti i shtetit më vonë lëshoi ​​pe dhe tha se ndihma humanitare “shpëtuese” nuk i nënshtrohej ndërprerjes, reduktimeve të personelit dhe konfuzioni i shkaktuar nga urdhrat e presidentit nënkupton se ka pasur vonesa të konsiderueshme edhe për programe të tilla bazë si ndihma ushqimore, raporton The Guardian.

Zyra e Inspektorit të Përgjithshëm të USAID identifikoi më shumë se 489 milionë dollarë ndihma ushqimore në rrezik për t’u prishur teksa ishte në porte dhe magazina anembanë botës.

Inspektori i Përgjithshëm përgjegjës për raportin u shkarkua një ditë pas publikimit të tij nga administrata Trump. Trump shkarkoi 17 inspektorë të tjerë të përgjithshëm pasi mori detyrën. Inspektorëve të përgjithshëm u kërkohet ligjërisht që të njoftohen 30 ditë përpara dhe një listë e detajuar e arsyeve për shkarkimin e tyre.

Pauza në financimin e ndihmës së huaj dhe shumë prej urdhrave ekzekutivë të Trump janë tani pjesë e rasteve gjyqësore që kërkojnë të ndalojnë veprimet – pjesë e asaj që studiuesit ligjorë po e quajnë një ”krizë kushtetues”” në SHBA, pasi presidenti shkatërron programet e krijuara dhe të financuara nga Kongresi.

Ndërsa këto çështje kalojnë nëpër gjykata, urdhrat e financimit po mbjellin “kaos” për programet në mbarë botën, duke përfshirë punonjësit ndërkombëtarë të shëndetit seksual dhe riprodhues, puna e të cilëve është domosdoshmërisht e nevojshme për gratë, vajzat dhe pakicat seksuale.

“Ne vërtet jemi duke luftuar për jetët tona – për jetën e të gjithëve,” tha Dunn-Georgiou. “Ne duhet të bëjmë gjithçka që mundemi që kjo ngrirje e ndihmave të huaja të shpallet kundërkushtetuese, të shpëtojmë gjithçka që mundemi nga shkrirja e fondeve, të bëjmë një fushatë të madhe për të kundërshtuar dezinformatat që vijnë nga administrata, sepse njerëzit nuk po marrin shërbime. Njerëzit po sëmuren dhe njerëzit po vdesin.”

Për shkak të urdhrit të ndalimit të punës të administratës Trump për ndihmën e huaj, Instituti Guttmacher vlerëson se 130,390 grave çdo ditë do t’u mohohet qasja në kontracepsion, me 11.7 milionë gra që do t’ju mohohet pas ndërprerjes 90-ditore. Kjo mund të rezultojë në deri në 4.2 milionë shtatzëni të padëshiruara dhe më shumë se 8,340 vdekje të nënave. Ky numër bazohet në supozimin se pas ndërprerjes 90-ditore, programet do të rifillojnë.

Kujtojmë se avokuesit për të drejta të njeriut në ShBA patën kritikuar këtë qasje dhe kanë deklaruar se këto urdhra në fakt do të prekin edhe vetë jetët e një pjese të gjerë të popullit amerikan, përfshirë personat trans dhe interseks, njerëzit me ngjyrë, komunitetin LGBTQ+, gratë dhe personat me aftësi të kufizuara.