Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Nigeria dështon në trajtimin e rasteve të përdhunimit

QIKA 18.11.2021

Në një raport të publikuar nga Amnesty International u tha se pavarësisht shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme nga autoritetet nigeriane për dhunën seksuale në baza gjinore, përdhunimi vazhdon ende të jetë një krizë, ku shumicës së të mbijetuarave u mohohet drejtësia, ndërsa përdhunuesit shmangen nga ndjekja penale dhe qindra raste të përdhunimeve nuk raportohen për shkak të korrupsionit të përhapur, stigmës dhe fajësimit të viktimave.

Raporti “Nigeria: A Harrowing Journey; Access To Justice for Women and Girls Survivors of Rape”, shpërfaqë rastet e tmerrshme të dhunës seksuale ndaj grave dhe vajzave, duke përfshirë edhe rastet e një 11 vjeçareje dhe 6 vjeçareje te cilat u dhunuan brutalisht deri në vdekje. Ky raport zbulon gjithashtu sesi stereotipet e dëmshme kulturore, dështimet e zbatimit të ligjit për të hetuar rastet e përdhunimeve, mizogjinia toksike dhe mbështetja e pamjaftueshme për viktimat, kanë krijuar një kulturë heshtjeje dhe mosndëshkimi që vazhdon të dëmtojë qindra gra dhe vajza çdo vit.

Përdhunimi vazhdon të jetë një nga shkeljet më të përhapura të të drejtave të njeriut në Nigeri.

Pas karantinimit që ndodhi vitin e kaluar për të trajtuar përhapjen e Covid-19, pati një rritje të rasteve të përdhunimeve. Në qershor të vitit 2020, policia nigeriane tha se kishte regjistruar 717 incidente përdhunimi midis muajve janar dhe maj. Kurse në prill të 2020-tës, Ministrja e Çështjeve të Grave në Nigeri, Pauline Tallen, tha se të paktën 3,600 raste përdhunimi u regjistruan gjatë karantinimit, ndërsa Komisioni Kombëtar i të Drejtave të Njeriut (NHRC) raportoi 11,200 raste të raportuara të përdhunimit gjatë gjithë vitit 2020.

Vera Uwaila Omosuwa, e cila ishte studente 22 vjeçare e mikrobiologjisë, u përdhunua dhe u sulmua brutalisht në vitin 2020 në një kishë pranë shtëpisë së saj dhe vdiq disa ditë më vonë nga plagët e mëdha. Hamira, një pesëvjeçare, u drogua dhe u përdhunua nga fqinji i saj në prill të po këtij viti. Lëndimet e saj ishin aq të rënda sa nuk mund të kontrollonte më fshikëzën e saj.

Pavarësisht detyrimit ndërkombëtar të Nigerisë për të miratuar, zbatuar dhe monitoruar legjislacione që adresojnë të gjitha format e dhunës ndaj grave, këto të fundit ende vazhdojnë të përballen me diskriminim në legjislacion dhe praktikë.

Amnesty International u bën thirrje autoriteteve nigeriane që të veprojnë tani për të mbrojtur gratë dhe vajzat nga dhuna e shfrenuar seksuale në Nigeri. Të gjitha rastet e raportuara të përdhunimit duhet të hetohen tërësisht, menjëherë dhe në mënyrë të paanshme si dhe përdhunuesit duhet të ndiqen penalisht, dhe nëse dënohen, të dënohen me dënimet e duhura. Ligjet ekzistuese diskriminuese duhet të shfuqizohen dhe të pasohen me një kornizë konkrete zbatimi.