Sipas një sondazhi global me 23,000 persona mbi 16 vjeç në 29 shtete, nga Ipsos dhe King’s College London, pothuajse një e treta e burrave dhe djemve të gjeneratës Z mendojnë se një grua duhet t’i bindet burrit të saj.
Sondazhi zbuloi se burrat e gjeneratës Z (të lindur në vitet 1997 deri në 2012) kanë dy herë më shumë gjasa sesa burrat e gjeneratës baby boomer (të lindur mes 1946 deri në 1964) të kenë qëndrime tradicionale për vendimmarrjen brenda martesës. Një e treta (33%) e djemve Gen Z gjithashtu thanë se burri duhet ta ketë fjalën e fundit në vendimet e rëndësishme, raporton the Guardian.
Disa nga zbulimet e studimit janë se pothuajse një e katërta (24%) e burrave të gjeneratës Z mendojnë se gratë nuk duhet të duken shumë të pavarura apo të vetë-mjaftueshme, 21% mendojnë se një “grua e vërtetë” nuk duhet kurrë të marrë iniciativën për seks, dhe më shumë se gjysma (59%) e tyre thanë përgjegjësia për ta rregulluar pabarazinë po u ngarkohet kryesisht burrave.
Megjithatë, 41% ishin gjithashtu grupi që kishte më shumë gjasa të besonte se gratë me karrierë të suksesshme janë më tërheqëse për burrat.
Profesoresha Heejung Chung, drejtoreshë e Global Institute for Women’s Leadership dhe udhëheqëse e këtij hulumtimi, tha se kishte disa shenja inkurajuese që mbështetja për barazinë gjinore mbetet e fortë, si për shembull pajtimi se duhet të ketë më shumë gra në qeveri.
“Mendoj se ka shumë pakënaqësi, shumë frikë nga humbja e pozitave shoqërore nga burrat, dhe ekziston një boshllëk që po mbushet me retorikë dhe zëra që përpiqen t’i vënë të rinjtë kundër barazisë gjinore, kundër grave të reja dhe kundër migrantëve”, tha Chung.
Rezultatet e sondazhit sugjeruan gjithashtu se burrat Gen Z kanë pritshmëri më tradicionale edhe për sjelljen dhe zgjedhjet e tyre, me 30% që besojnë se burrat nuk duhet t’u thonë “të dua” miqve të tyre, dhe 21% besojnë se burrat që përfshihen në kujdesin për fëmijët janë më pak burrëror se ata që nuk përfshihen.
Të dy gjinitë mendonin se gratë kanë më shumë zgjedhje në përzgjedhje të marrëdhënieve (22%), në rolet brenda shtëpisë (24%) dhe në rrobat që mund të veshin (34%), ndërsa burrat konsiderohej se kanë më shumë zgjedhje në hobi (18%) dhe në punë (39%).
Julia Gillard, kryetare e Global Institute for Women’s Leadership dhe ish-kryeministre e Australisë, tha se rezultatet janë shqetësuese. “Jo vetëm që shumë burra të Gjeneratës Z po vendosin pritshmëri kufizuese për gratë, ata gjithashtu po e mbajnë veten të bllokuar brenda normave kufizuese gjinore”, tha ajo.
Chung tha se faktorët ekonomikë mund të luajnë gjithashtu rol. “Në gjeneratat e mëparshme, burrat ishin në gjendje, sipas termave sociologjikë, ta performonin maskulinitetin përmes rolit të fituesit të bukës, përmes kontributit financiar, gjërave si blerja e një shtëpie, të qenit ofruesi kryesor i familjes dhe mbrojtës i saj.
Të dhënat zbuluan gjithashtu një hendek mes asaj që njerëzit mendojnë personalisht për rolet gjinore brenda shtëpisë dhe asaj që ata besojnë se shoqëria pret prej tyre.