Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Nju Jorku do të zgjeroj përkufizimin ligjor për përdhunimin

QIKA 12.2.2024

Guvernatorja e Nju Jorkut, Kathy Hochul, të martën nënshkroi projektligjin për të zgjeruar përkufizimin ligjor për aktin e përdhunimit. Përkufizimi i ri do të përfshijë çdo formë të kontaktit seksual pa pëlqim.

Ligji paraprak e përkufizonte përdhunimin vetëm si penetrim vaginal nga penisi, ndërsa ligji i ri zgjeron përkufizimin për të përfshirë çdo formë të kontaktit seksual pa pëlqim, qoftë anal, oral apo vaginal. “Përpara ligjit të ri, Nju Jorku e përkufizonte depërtimin në vaginë ose në vrimat e tjera trupore me çdo gjë tjetër përveç penisit si ‘abuzim seksual’ dhe jo si ‘përdhunim’”, tha Sandi Johnson, këshilltare e lartë e politikave legjislative në Rrjetin Kombëtar të Përdhunimit, Abuzimit dhe Incestit.

Ligji do të zbatohet për sulmet seksuale të kryera më ose pas 1 shtatorit të këtij viti. “Problemi është se përdhunimi është shumë i vështirë për t’u ndjekur penalisht. Teknikalitetet fizike ngatërrojnë juristët dhe poshtërojnë përvojat e të mbijeturave/ëve dhe krijojnë një zonë ligjore gri të cilën e shfrytëzojnë të pandehurit”, tha guvernatorja Hochul.

Nevoja për ripërkufizim lindi pasi juria në gjyqin civil federal hodhi poshtë pretendimin e shkrimtares E Jean Carroll se Donald Trump e kishte përdhunuar atë në vitet 1990, në vend të kësaj e gjeti Trump-in përgjegjës për ‘një shkallë të vogël të abuzimit seksual’.