Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

OKB thotë se gratë paguajnë çmimin më të lartë përgjatë konflikteve

QIKA 29.3.2022

Në sesionin e hapjes së takimit vjetor të Komisionit për Statusin e Grave u theksua se konfliktet, luftërat dhe krizat e tjera që po ndodhin po rëndojnë më së shumti mbi gratë, duke theksuar kështu edhe më shumë pabarazitë.

Kryesuesja e agjencisë së grave të OKB-së dhe njëkohësisht nën-sekretarja e përgjithshme thotë se gratë dhe vajzat paguajnë çmimin më të lartë në të gjitha krizat dhe konfliktet nga Mianmari dhe Afganistani deri në Sahel dhe Haiti.

“Gratë dhe vajzat paguajnë çmimin më të lartë në të gjitha krizat dhe konfliktet nga Mianmari dhe Afganistani në Sahel dhe Haiti, dhe lufta e tmerrshme në Ukrainë tani i bashkohet kësaj liste”, tha Sima Bahous.

Ajo gjithashtu tha se çdo ditë e më shumë në luftë po dëmtohet jeta, shpresat dhe e ardhmja e grave dhe vajzave ukrainase.

“Kriza klimatike, ndotja dhe humbja e biodiversitetit së bashku me pandeminë COVID-19 dhe ndikimin e luftës në Ukrainë prekin të gjithë, por gratë dhe vajzat përballen me kërcënime më të mëdha dhe dëme më të rënda”, tha Sekretari i Përgjithshëm Antonio Guterres.