Parlamenti Evropian miratoi një rezolutë që i bën thirrje Komisionit Evropian të vendosë pëlqimin si kriter përcaktues në legjislacionin mbi dhunimin seksual në të gjithë BE-në.
Rezoluta, për të cilën votuan ‘pro’ 447 deputetë, 160 tjerë votuan ‘kundër’ dhe 43 abstenuan, thekson se “pohimi, i lirë dhe i qartë i pëlqimit është i vlefshëm, dhe se heshtja, mungesa e rezistencës verbale apo fizike ose mos thënia ‘jo’ nuk mund të interpretohen si pëlqim”, dhe se “pëlqimi mund të tërhiqet në çdo kohë para ose gjatë një akti seksual”.
Parlamenti Evropian gjithashtu i bëri thirrje Bashkimit Evropian të ndjekë qasje gjithëpërfshirëse dhe të përqendruar te viktima, duke theksuar nevojën për përmirësimin e shërbimeve dhe mbështetjes për të mbijetuarat/it, përfshirë kujdesin shëndetësor seksual dhe riprodhues, trajtimin e traumës, mbështetjen psikologjike dhe qasjen në aborte të sigurta.
Deri më sot, 17 nga 27 shtetet anëtare të BE-së tashmë kanë ligje për dhunimin seksual të bazuar në pëlqim, ndërsa shtetet e tjera ende e përcaktojnë përdhunimin mbi bazën e elementeve si forca, kërcënimi apo detyrimi. Që nga viti 2023, disa vende evropiane si Franca, Finlanda, Luksemburgu dhe Holanda kanë miratuar legjislacion të bazuar në pëlqim, ndërsa përpjekja për reformë ligjore në Itali ka ngecur.
Miratimi i një standardi në nivel të BE-së për përkufizimin ligjor të dhunës seksuale, me pëlqimin në thelb, do të ishte në përputhje me standardet ndërkombëtare, përfshirë detyrimet e BE-së sipas Konventës së Stambollit, e cila përcakton se “pëlqimi duhet të jepet vullnetarisht si rezultat i vullnetit të lirë të personit, i vlerësuar në kontekstin e rrethanave përreth”, shkruan Human Rights Watch.
Raportuesja speciale e Kombeve të Bashkuara për dhunën ndaj grave, Dubravka Šimonović, theksoi në një raport të vitit 2021 se qeveritë duhet të harmonizojnë legjislacionin me standardet ndërkombëtare, duke deklaruar se “mungesa e pëlqimit nga viktima duhet të jetë në qendër të të gjitha përkufizimeve të përdhunimit”. Në nivel global, përdhunimet raportohen shumë më pak sesa ndodhin; një faktor kyç janë sistemet e drejtësisë penale që e përcaktojnë përdhunimin bazuar në përdorimin e forcës, thuhet në raport.