Parlamentarët në Gjeorgji kanë miratuar leximin e tretë dhe të fundit të një ligji mbi “vlerat familjare dhe mbrojtjen e të miturve” i cili kufizon të drejtat LGBTQ+.
Ky projektligj do të sigurojë një bazë ligjore për autoritetet që të shpallin të jashtëligjshme ngjarjet e Krenarisë, shfaqjet publike të flamurit të ylberit LGBTQ+ dhe do të imponoj censurimin e filmave dhe librave.
Gjithashtu do të ndaloj ndryshimin e gjinisë, adoptimin nga personat homoseksual dhe trans, dhe anulimin e martesave të të njëjtit seks të kryera jashtë vendit.
Në një votim të bojkotuar nga opozita, politikanët në pushtet, Georgian Dream (Ëndrra Gjeorgjiane), votuan 84 kundër 0 për të miratuar projektligjin. Udhëheqësit e kësaj partie thonë se është e nevojshme të mbrohen standardet morale tradicionale në Gjeorgji, raporton Al Jazeera
Tamara Jakeli, drejtore e grupit të kampanjës Tbilisi Pride, tha “Ky ligj është gjeja më e tmerrshme që mund t’i ndodhë komunitetit LGBT në Gjeorgji”.
Presidentja e Gjeorgjisë Salome Zourabichvili, kompetencat e së cilës janë kryesisht ceremoniale, ka kritikuar Georgian Dream dhe ka treguar se ajo do të bllokojë projektligjin. Megjithatë, Georgian Dream dhe aleatët e saj kanë mjaft vende në parlament për të anashkaluar veton e Presidentes.
Të drejtat e komunitetit LGBTQ+ janë një temë e tensionuar në Gjeorgji, ku sondazhet tregojnë mosmiratim të gjerë të marrëdhënieve të të njëjtit gjini dhe kushtetuta ndalon martesat mes tyre.
Kjo çështje është bërë më e dukshme përpara zgjedhjeve të ardhshme të 26 tetorit, ku Georgian Dream po kërkon një mandat të katërt dhe po bën fushatë të madhe kundër të drejtave LGBTQ+.
Bashkimi Evropian ka thënë se miratimi i projektligjit do të kishte pasoja të mëdha në rrugën e integrimit të Tbilisit në BE dhe se do të tensionojë më tej marrëdhëniet BE-Gjeorgji.
“BE-ja kujton se procesi i pranimit të Gjeorgjisë është pezulluar de fakto dhe u kërkon autoriteteve të riangazhohen në rrugën drejtë integrimit në BE” tha BE.