Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Parlamenti i Suedisë lehtëson ndryshimin e gjinisë për personat mbi 16 vjeç

QIKA 13.5.2024

Parlamenti i Suedisë ka miratuar një ligj që ulë kufizimin e moshës për të ndryshuar identitetin gjinor nga 18 në 16 vjeç dhe largon kërkesën për diagnozë zyrtare për disforinë gjinore.

Personat nën 18 vjeç duhet të kenë miratimin nga prindi ose kujdestari ligjor, një mjek si dhe nga Bordi Kombëtar i Shëndetit dhe Mirëqenies.

Ligji u miratua pas diskutimit rreth 6 orësh në parlamentin suedez dhe përplasjeve të ashpra mes konservatorëve dhe koalicionit liberal, raporton Euronews.

Ligji i ri, i cili do të hyjë në fuqi vitin e ardhshëm, shkëput procesin e ndryshimit ligjor të gjinisë nga procedurat mjekësore si operacioni i ndryshimit të seksit, i cili do të kërkojë ende një vlerësim më të gjatë, raporton Reuters.

“Kjo çka po bëjmë sot nuk është revolucion, është reformë,” tha Johan Hultberg i Moderatëve gjatë një debati. ”Nuk është e arsyeshme që të ketë të njëjtat kërkesa për ndryshimin ligjor të gjinisë si për të bërë realizuar operacionin e pakthyeshëm të ndërrimit të gjinisë”.

Ky ligj u mirëprit nga aktivistet/ët. Peter Sidlund Ponkala, kryetar i Swedish Federation for Lesbian, Gay, Bisexual, Transgender, Queer and Intersex Rights e konsideroi miratimin e ligjit si një hap në drejtimin e duhur dhe njohje për të gjithë personat që kanë pritur me dekada.