Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Peruja me dekret shtetëror i klasifikon personat transgjinorë si “të sëmurë mendorë”

QIKA 16.5.2024

Ministria e Shëndetësisë në Peru përmes dekretit ka klasifikuar personat transgjinorë, jobinarë dhe interseks si “të sëmurë mendorë”.

Dekreti i nënshkruar edhe nga presidentja peruane, Dina Boluarte, do të ndryshojë gjuhën në Planin Thelbësor të Sigurimit Shëndetësor (PEAS) dhe përcakton transseksualizmin si sëmundje mendore, dhe në të njëjtin grup të sëmundjeve kategorizon edhe “transvestitizmin me role të dyfishta”, “transvestizmin fetishist” dhe “çrregullimet e tjera të identitetit gjinor”.

Ministria e Shëndetësisë në një deklaratë të lëshuar më 11 maj tha se ky dekret nuk i detyron personat LGBTQ+ që ti nënshtrohen terapisë së konvertimit por ishte e vetmja mënyrë përmes së cilës do të garantohej “mbulimi i plotë i kujdesit mjekësor për shëndetin mendor”, raporton Pink News.

Grupet për mbrojtjen e të drejtave të njeriut e kanë dënuar ashpër dekretin dhe e kanë klasifikuar si sulm qeveritar drejt personave LGBTQ+, i cili bazohet në pikëpamje të vjetëruar mbi identitetin gjinor dhe ka për qëllim stigmatizimin e personave LGBTQ+. Jheinser Pacaya, drejtor i OutfestPeru, tha në një deklaratë të postuar në X se komuniteti transgjinor i Perusë nuk do të pushojë derisa dekreti të shfuqizohet.