Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Pilotja 19 vjeçare, Zara Rutherford, bëhet gruaja më e re që fluturoi e vetme nëpër botë

QIKA 28.1.2022

Pilotja adoleshente Zara Rutherford u bë gruaja më e re që fluturoi e vetme rreth botës në momentin kur ajo ateroi në Belgjikë të enjten, duke përfunduar një udhëtim prej më shumë se 32,000 miljesh përgjatë pesë kontinenteve.

Aviatorja 19-vjeçare britaniko-belge e përdori një vit pas shkollës së mesme për të thyer dy rekorde botërore Guinness, duke u bërë gruaja e parë që qarkulloi rreth globit me një avion mikrolight dhe gruaja më e re që bëri një udhëtim të tillë.

Vajza e dy pilotëve, Rutherford u rrit rreth aeroplanëve dhe filloi trajnimin për patentën e pilotit në shkollën e mesme. Ajo gjithmonë kishte ëndërruar të fluturonte nëpër botë, por mendoi se do të ishte e pamundur, deklaroi ajo.

“Po mbaroja shkollën – në korrik të vitit të kaluar – dhe mendova, në fakt, kjo është koha e përsosur për të bërë diçka të çmendur dhe për të fluturuar nëpër botë”, tha ajo për Washington Post.

Me kërkesat e rekordeve botërore Guinness, një hartë dhe një stilolaps në dorë, ajo skicoi rrugën që do ndërmerrte. Ajo e financoi të gjithë udhëtimin përmes sponsorizimeve. Rutherford u nis nga Belgjika në mes të gushtit, duke pritur që udhëtimi të zgjaste tre muaj. Por një sërë pengesash të paparashikuara – duke përfshirë problemet e vizave, kufizimet e koronavirusit dhe motin e keq – e ndërlikuan udhëtimin. Fillimisht synonte të kalonte nëpër 52 vende, por ajo fluturoi nëpër 41.

Rutherford promovoi dy organizata bamirësie gjatë udhëtimit të saj: Girls Who Code, e cila mbështet gratë e reja që studiojnë shkenca kompjuterike dhe Dreams Soar, organizatë që mbron gratë dhe vajzat në fushat e shkencës, teknologjisë, inxhinierisë dhe matematikës.

Edhe pse nuk mbante mend të kishte parë vajza apo gra të tjera në shkollën e fluturimit, Rutherford tha se përsëri ishte e tronditur kur mësoi se vetëm 5% e pilotëve komercialë janë gra.

“Duke u rritur, nuk pashë shumë pilote të tjera gra dhe kjo ishte me të vërtetë dekurajuese. Kështu që tani po bëj çmos që të përpiqem të jem një fytyrë miqësore për të frymëzuar vajzat me interes për pilotim”, tha ajo.