Sot në mëngjes, një burrë plagosi një grua me armë zjarri në fshatin Bresje në Fushë Kosovë. Lidhur me këtë rast është arrestuar partneri i viktimës, ndërsa ajo është dërguar në QKUK për tretman mjekësor.
Rastin e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës, shkruan Koha.Net. “Sot rreth orës 07:30 policia ka marrë informatën për një plagosje me armë zjarri të ndodhur në Bresje – Fushë Kosovë. Personi i plagosur (femër) është dërguar për tretman mjekësor. Lidhur me këtë rast policia ka arrestuar një person të dyshuar, ndërkohë që hetuesit policorë në koordinim me prokurorinë, po ndërmarrin veprimet hetimore për ndriçimin e plotë të rastit”, ka thënë zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.
Në media është raportuar se para katër ditësh, i dyshuari ishte arrestua për dhunë në familje, pasi u denoncua nga viktima për dhunën psikike dhe presion të vazhdueshëm. Të njëjtit i ishte shqiptuar masa e ndalimit policor prej 48 orësh.