Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Planet klimatike kombëtare nuk përfillin ndikimin që kriza klimatike ka te gratë

QIKA 23.10.2023

Shumica e shteteve në botë nuk po marrin parasysh ndikimin e krizës klimatike te gratë dhe vajzat kur përpilojnë planet kombëtare klimatike, tregon OKB-ja pas publikimit të një hulumtimi. Hulumtimi i realizuar nga UN Population Fund (UNFPA) dhe Universiteti Queen Mary në Londër, ka zbuluar se nga 119 vende që kanë publikuar plane për krizën klimatike, vetëm 38 prej tyre përfshijnë qasje në shërbimet shëndetësore seksuale dhe riprodhuese, ndërsa vetëm 15 i referohen dhunës ndaj grave.

Raporti thekson se kriza klimatike ka përkeqësuar pabarazitë gjinore ekzistuese. Rritja e temperaturave mund të shoqërohet me shëndet të përkeqësuar të nënave dhe komplikime gjatë shtatzënisë, përfshirë diabetin gestacional dhe lindjet e hershme. Për më tepër, katastrofat natyrore si ciklonet tropikale dhe uraganët mund të krijojnë barriera në qasjen ndaj shërbimeve shëndetësore, si dhe të rrisin rrezikun e dhunës ndaj grave dhe martesave të hershme të fëmijëve, raporton the Guardian.

“Ne e dimë se ndryshimet klimatike prekin në mënyrë disproporcionale gratë dhe nuk janë neutrale ndaj gjinisë, kështu që ekziston nevoja për të adresuar këto boshllëqe dhe ndikime”, tha Angela Baschieri, këshilltare për popullsinë dhe zhvillimin në UNFPA dhe një nga autoret e raportit. “Qëllimi ynë është që të sigurohemi se politika klimatike e njeh ndikimin tek gratë dhe ta marrë atë parasysh në hartimin e politikave”, shtoi ajo.

Disa vende si Paraguai, Seychelles dhe Benini kanë filluar të marrin masa për të përmirësuar këto mungesa ndërsa vende të tjera, si El Salvadori dhe Guinea, janë duke ndërmarrë hapa për të trajtuar dhunën me bazë gjinore.