Një grua nga Bangladeshi u qëllua për vdekje javën e kaluar pasi policia në Dhaka hapi zjarr gjatë një proteste të mbajtur nga punëtorët e industrisë së tekstilit që kërkonin rritje të pagave. 26-vjeçarja Anjuara Khatun, një operatore makinerie në Gazipur, ishte duke u kthyer në shtëpi pasi fabrika ku punonte u mbyll papritur ndërsa një grup i madh protestuesish u mblodhën aty pranë.
Burri i saj u tha gazetarëve se dëgjoi të shtëna armësh kur policia hapi zjarr ndaj rreth 400 punëtorëve dhe më pas pa njerëz që mbanin trupin e palëvizur të gruas së tij. “Ajo u qëllua në kokë dhe vdiq në makinë rrugës për në spital”, tha ai.
Khatun, nënë e dy fëmijëve, u dërgua shpejt në spitalin e Dhakës, ku u konstatua vdekja e saj. Ajo është punonjësja e tretë e industrisë së tekstilit që vritet në dy javët e fundit, me qindra të tjerë të plagosur rëndë, gjatë përleshjeve që kanë shpërthyer në qendrat kryesore të prodhimit në vend.
Procesi i përcaktimit të pagës minimale për punëtorët e kësaj industrie kishte filluar në Bangladesh që nga prilli 2023, por dhuna e re shpërtheu këtë javë pas njoftimit të qeverisë për një rritje mujore të pagës me vetëm 92 funta, rritje të cilën punëtorët e konsideruan të pamjaftueshme.
Përderisa lajmet për këtë rritje u përhapën, protestat rreth kryeqytetit u bënë më të dhunshme. Mijëra punëtorë bllokuan rrugët kryesore ndërsa policia përdori gaz lotsjellës dhe plumba gome për të shpërndarë turmat.
“Ne i bëjmë thirrje kryeministrit të ndërhyjë dhe të ndalojë brutalitetin e policisë menjëherë. Paga e re e propozuar është e papranueshme. Ne e refuzojmë atë dhe kërkojmë një rishikim”, tha sindikalistja Nazma Akhter. “Brendet globale të modës gjithashtu duhet të ngrenë zërin. Çfarë dobie kanë diskutimet e tyre për fuqizimin e grave, kur gratë që qëndisin rrobat e tyre vriten në rrugë?”, shtoi ajo.