Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë kundër një të pandehuri për dhunë seksuale gjatë luftës

QIKA 28.8.2024

Dje, përmes një komunikate Prokuroria Speciale e Kosovës ka njoftuar se pranë Departamentit Special në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ka ngritur aktakuzë kundër një të pandehuri për krime lufte, respektivisht për dhunë seksuale gjatë luftës.

“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka ngritur sot aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamentin Special, kundër të pandehurit Z.N, i nacionalitetit serb, për shkak të dyshimit se ka kryer veprën penale Krim i luftës kundër popullsisë civile, e sanksionuar me nenin 142 lidhur me nenin 22 të RSFJ-së.

Hetimet kanë vërtetuar se gjatë periudhës kohore të luftës në Kosovë gjatë vitit 1998-1999, i pandehuri ka kryer dhunë seksuale si krim i luftës ndaj një viktime të nacionalitetit shqiptar.

Kjo çështje penale tashmë i ka kaluar në kompetencë Departamentit Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë për procedurë të mëtutjeshme. I pandehuri gjendet nën masën e sigurisë – paraburgim, sipas vendimit të Gjyqtarit të procedurës paraprake deri në një vendim të ri nga ana e gjykatës”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Speciale.

Lidhur me këtë çështje kanë reaguar edhe organizatat e shoqërisë civile. Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT), teksa njoftoi se e mbijetuara e dhunës seksuale në këtë rast është duke u mbështetur dhe trajtuar nga QKRMT, thanë se “ngritja e kësaj aktakuze është dëshmi se zëri i mbijetuarve nuk është heshtur dhe po ashtu është një rreze shprese për të gjithë ata që kërkojnë drejtësi se këto raste do të gjykohen dhe kryerësit do të marrin dënimin e merituar”.

Komunikatën e plotë të Prokurorisë Speciale e gjeni këtu: https://prokuroria-rks.org/psrk/lajm/prokuroria-speciale-e-republikes-se-kosoves-ka-ngritur-aktakuze-kunder-nje-te-pandehuri-per-krime-lufte/?fbclid=IwY2xjawE6riBleHRuA2FlbQIxMQABHdgvYMWPaoeZu1mO1ZkfvaKyE5e66o35bR0zgeXa8ZbDW2iXTHIB1sz3Ig_aem_Tq20v6ST9F8_oa3kpu3_Iw