Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Prokuroria u pajtua me dënimin 8 muajsh ndaj dhunuesit të 15 vjeçares

QIKA 26.10.2021

Dënimi me 8 muaj e 8 ditë burgim për personin që dhunoi 15 vjeçaren në Gjakovë nuk mund të rritet. Prokuroria e Pejës është pajtuar me lartësinë e këtij dënimi, pasi nuk ka ushtruar ankesë në Gjykatën e Apelit, raporton KALLXO.com

Sipas aktgjykimit, figuron se në fjalën përfundimtare prokurorja Lirije Morina nuk ka propozuar që të merret parasysh asnjë rrethanë rënduese, përderisa ka kërkuar nga Gjykata që të ketë parasysh një mori rrethanash lehtësuese.

“Pas përfundimit të këtij shqyrtimi gjyqësor, mbetëm në tërësi pranë akuzës dhe kualifikimit juridik dhe propozoj që i njëjti të shpallet fajtorë dhe të dënohet sipas ligjit. I propozoj gjykatës që me rastin e marrjes së vendimit t`i merren parasysh rrethanat lehtësuese që shkojnë në favor të të akuzuarit si, pranimi i fajësisë, koha e kryerjes së veprës penale pasi kanë kaluar gati 10 vite, rrethana se i akuzuari ka qenë madhor i ri, deklarimi i të dëmtuarës se me rastin e marrëdhënieve seksuale nuk ka pasur lëndime”, përshkruhet në aktgjykim.

Aktgjykimi me dënimin prej 8 muaj e 8 ditë tashmë ka marrë formën e prerë pasi asnjëra nga palët nuk ka parashtruar ankesë në Gjykatën e Apelit. Plotfuqishmërinë e këtij vendimi si rezultat i mungesës së ankesës e ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Pejë, Tringa Zhuti. /KALLXO.xom