Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Prostesta kundër femicidit mbush rrugët e Prishtinës

QIKA 6.12.2023

Dje rrugëve të Prishtinës është protestuar nën parullën “S’ka paqe pa sigurinë e grave”.

Shumë gra e burra i janë bashkëngjitur protestës gjithëpopullore të thirrur nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist në sheshin “Zahir Pajaziti”, për të vazhduar deri tek objekti i Policisë së Kosovës dhe Qeveria e Kosovës.

Kjo protestë u organizua në shenjë denoncimi të rasteve në rritje të dhunës me bazë gjinore dhe rastit të fundit të vrasjes së Liridona Ademaj.

“Jemi mbledhur sepse vajzat dhe gratë në Kosovë janë në rrezik. Jemi mbledhur për të treguar edhe një herë se kjo gjendje lufte, që ne si vajza e gra e përjetojmë, duhet të përfundojë një herë e përgjithmonë. E kjo mund të ndodhë vetëm nëse të gjitha ne bashkohemi në luftën që ne si gra po e bëjmë çdo ditë. Në shtëpi, në punë, në rrugë, në shkollë dhe në shtet”, tha Liridona Sijarina, nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist.

Në protestë u kërkua siguri për vajzat dhe gratë, dhe drejtësi për Liridonën e krejt viktimat e femicidit në Kosovë.

“Ne besojmë që transformimi shoqëror është i mundshëm dhe që një shoqëri e drejtë dhe e lirë mund të bëhet. Por kjo mund të ndodhë vetëm nëse ne bashkohemi dhe luftojmë krahas njëra-tjetrës e njëri-tjetrit”, shtoi Sijarina.