Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Protesta masive kundër dhunës ndaj grave në mbarë Australinë

QIKA 29.4.2024

Pas rasteve të fundit të femicidit dhe rritjes së vazhdueshme të dhunës me bazë gjinore, në mbarë Australinë kanë shpërthyer protesta masive përmes së cilave protestuesit po kërkojnë që dhuna me bazë gjinore të shpallet urgjencë kombëtare dhe të ashpërsohen ligjet për të.

Sipas të dhënave nga fushata Destroy the Joint vetëm në 119 ditët e para të vitit 2024 në Australi janë vrarë 27 gra, apo mesatarisht çdo katër ditë është vrarë nga një grua.

“Ne duam opsione alternative të raportimit për të mbijetuarat e dhunës dhe duam që qeveria të pranojë se kjo është gjendje emergjente e të ndërmarrë veprime të menjëhershme”, tha organizatorja Martina Ferrara.

Kryeministri Anthony Albanese për t’iu përgjigjur protestueseve/ëve në një nga tubimet tha se dhuna me bazë gjinore është krizë kombëtare. “Ne duhet të ndryshojmë kulturën, qëndrimet, sistemin ligjor dhe qasjen. Ne duhet të sigurohemi që kjo të mos varet nga gratë, por nga burrat që duhet të ndryshojnë sjelljen e tyre”, tha ai.

Vrasjet e fundit kanë revoltuar qytetarët/et e Australisë. Në fillim të këtij muaji, një burrë vrau me thikë gjashtë persona në një qendër tregtare të Sidneit. Pesë nga viktimat ishin gra dhe sipas  policisë vrasësi ishte përqendruar te gratë dhe shmangte burrat.

Protestat janë zhvilluar në Adelaide, Canberra, Brisbane, Melburn, Gold Coast dhe Newcastle gjatë të premtes dhe të shtunës, raporton BBC News.