Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Protesta masive në Iran pas vdekjes së dhunshme të Mahsa Amini

QIKA 19.9.2022

Vdekja e një gruaje 22-vjeçare iraniane ka nxitur gratë të dalin në protesta në rrugë dhe të përdorin metoda unike për të vënë në qendër të vëmendjes shtypjen dhe diskriminimin.

Mahsa Amini vdiq të premten pasi ra në koma pas arrestimit të saj në Teheran në fillim të javës. Raportet e mediave thanë se ajo pësoi një sulm në zemër pasi u ndalua nga “policia e moralit”, e cila nuk u pajtua me mënyrën se si Mahsa barte shaminë e saj.

Incidenti shkaktoi zemërim masiv në mediat sociale, ku mijëra gra iraniane organizuan protesta në kryeqytet. Policia u përgjigj me një goditje brutale dhe hodhi gaz lotsjellës për të shpërndarë protestueset.

Videot e shpërndara në mediat sociale treguan protestueset që mblidheshin pranë Universitetit të Teheranit, duke mbajtur slogane si “Gruaja, Jeta, Liria”. Disa gra u panë duke hequr shamitë e tyre në një protestë simbolike teksa thërrisnin “vdekje tiranit”. Shumë gra postuan gjithashtu video në rrjetet sociale duke i prerë flokët dhe duke i vënë flakën shamisë.

Sipas sheriatit, ose ligjit islamik të Iranit, gratë mbi moshën shtatë vjeç janë të detyruara të mbulojnë flokët dhe të veshin rroba të gjata dhe të gjera. Një urdhër i 5 korrikut nga presidenti Ebrahim Raisi për të zbatuar ligjin e shamisë ka rezultuar në një listë të re kufizimesh për mënyrën sesi gratë mund të vishen. Shkelëset përballen me qortim publik, gjoba ose arrestim.