Gjatë protestës së Lëvizjes #ReclaimTheseStreets në Britani, gratë pyesin se pse policia u kërkon atyre të sakrifikojnë lirinë e lëvizjes, në vend se të detyrojnë burrat t’i japin fund dhunës.
Me 3 mars të këtij viti, Sarah Everard u zhduk gjersa po shkonte për në shtëpi në mbrëmje rreth orës 21:00. Ajo më pas u gjet e vdekur. Protesta erdhi si kundërpërgjigje ndaj udhëzimeve të policisë britanike, pasi që këta të fundit u kishin kërkuar grave në zonën jugore të Londrës (aty ku edhe u zhduk Sarah Everard) të qëndronin në shtëpi për të qenë më të sigurta. Kjo kërkesë ngjalli zemërim dhe zhgënjim ndaj autoriteteve britanike.
#ReclaimTheseStreets njoftoi se do të mbahej një vigjilje në një park të Londrës Jugore, ku do të mbahej zi për vdekjen e Everard, si dhe do të protestohej mbi idenë se barra për sigurinë e grave u bie atyre dhe jo burrave të cilët dhunojnë gratë. Gjatë protestës policia shkeli lulet e vendosura në memorialin e Everard dhe ushtroi dhunë ndaj grave të cilat po protestonin. Mary Morgan, organizatorja e memorialit tha që u detyruan të ndalnin organizmin për shkak të dhunës policore.