Pas raportimeve për rikualifikimin e një rasti të dhunimit në sulm të lehtë trupor nga Gjykata Themelore në Mitrovicë, dje aktiviste e aktivistë protestuan në Mitrovicë për të adresuar trajtimin joserioz e mosprioritizimin e rasteve të dhunës me bazë gjinore.
Pas protestës aktivistet/ët e organizatës Fourth Wave vazhduan drejt Gjykatës Themelore ku përmes thirrjeve kritikuan këtë qasje të gjykatës dhe kërkuan që rastet e dhunës me bazë gjinore të trajtohen drejt dhe me pritoritet.
Deklarata e plotë e Fourth Wave:
“Të nderuar shokë e shoqe,
Jemi mbledhur këtu në Mitrovicë për të disatën herë, për të shprehur revoltën tonë ndaj trajtimit skandaloz të rasteve të dhunës më bazë gjinore nga Gjykata Themelore në Mitrovicë.
Së fundmi, rasti i një viktime e cila u transmetua edhe në Radio Televizionin e Kosovës, na tregon se gjykatat janë në shërbim të autorëve të dhunës dhe mosnjohjes së përvojës së tmerrshme të viktimave. Ne këtu jemi mbledh për të i thënë gjykatës që dhuna seksuale nuk është lëndim i lehtë trupor. Dhuna me bazë gjinore nuk është lëndim i lehtë trupor, si dhe recedivistët të mos kenë edhe një mundësi tjetër për të kryer edhe një akt tjetër dhune.
Ky nuk është rasti i parë që neve na bën të ndihemi të pambrojtura nga Gjykata. 1 vit më parë, Gjykata ka dështuar të jap vendim meritor për shtyesin drejt vetëvrasjes së Betina Ymerit. Gjersa gjykata vazhdon të amnistoj burrat dhunues, për gratë në Mitrovicë, çdo ditë është një kërcënim për jetën dhe sigurinë e tyre.
Nga këtu ne i themi Gjykatës se ne do të jemi para ndërtesës së tyre, duke ju kërkuar llogari, sa herë që ata marrin vendime skandaloze në emër të popullit.”.