Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Protestë në Tiranë kundër rasteve të fundit të femicidit

QIKA 2.3.2023

Sot në Tiranë është thirrur protestë pas vrasjes së tri grave dhe plagosjes së tri të tjerave. Organizatorët e protestës thonë se kanë dështuar të gjitha hallkat institucionale që duhet të garantojnë lirinë e jetës dhe dinjitetin e secilit, njëkohësisht ftojnë për solidarizim me protestën.

Deklarata e plotë nga Kolektivi Feminist:

 “3 gra të vrara dhe 3 të tjera të plagosura.

Vrasësi është ish partneri i njërës prej të plagosurave dhe i dënuar me parë për vrasjen e gruas së tij, përdhunimit të një tjetër gruaje dhe i cili, sapo ishte liruar nga burgu.

Tre gra të vrara nga dora e një burri tregojnë për një dështim të të gjitha hallkave institucionale që duhet të garantojnë lirinë e jetës dhe dinjitetin e secilit.

Vajzat dhe gratë po vriten dhe masakrohen nga burrat, ish partnerët, familjarët dhe njerëz të rrethit të ngushtë. Ngjarja e djeshme makabër na ka tronditur fort të gjithave; secila prej nesh vazhdon të jetë e kërcënuar nga dhuna patriarkale, mënjanimi nga shoqëria dhe dështimi i institucioneve shtetërore.

12 gra të vrara që nga 1 janari i vitit të kaluar janë një klithmë alarmi, dëshpërimi dhe zemërate. Pas dorës së vrasësit qëndron një kulturë e normalizuar dhune, institucione që nuk funksionojnë dhe dështim i të gjithë normave shoqërore.

Solidarizohemi dhe bashkohemi me njëra tjetrën dhe me gjithsecilin, për të qenë më të pranishëm në vështirësitë dhe dhunën që hasim dhe përjetojmë çdo ditë! Solidarizohemi dhe bashkohemi që të mos jemi ne viktima e radhës!

Sot, ora 17:00, Ministria e Drejtësisë, Tiranë.” Kurse i dyshuari për vrasjet është arrestuar dje nga Policia e Shtetit.