Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Protestohet kundër vendimit të Gjykatës së Apelit për rigjykimin e lëndës së vrasjes të Marigona Osmanit

QIKA 28.2.2024

Aktiviste e aktivistë protestuan sot para Pallatit të Drejtësisë për të shprehur indinjatën dhe revoltën lidhur me vendimin e Gjykatës së Apelit që ta dërgojë në rigjykim lëndën e vrasjes së Marigona Osmanit dhe për të kërkuar drejtësi për gratë e vrara dhe ato që përballen me dhunë me bazë gjinore.

Nën slloganin “NE NUK HARROJMË”, në aksionin protestues të organizuar nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist, u vlerësua si e rrezikshme dhe u kundërshtua praktika e institucioneve që neglizhojnë rastet e dhunës me bazë gjinore.

“Vendimi i Gjykatës së Apelit që ta dërgojë në rigjykim lëndën e vrasjes së Marigona Osmanit na revolton tej mase meqë përtej këtij rasti reflekton një praktikë të shpeshtë në rastet e dhunës ndaj grave dhe femicidit, e cila e kthen rastin në pikën zero, duke krijuar pasiguri për gratë në Kosovë dhe rrezikuar që Marigonës t’i bëhet padrejtësi edhe për së vdekuri. Këtë patriarkalitet dhe joseriozitet të gjykatave i cili po bëhet në kurrizin e grave, ne do ta luftojmë sot e çdo ditë dhe do i dalim krah njëra-tjetrës, gjallë a vdekur. Deri sa të ketë drejtësi për Marigonën. Deri sa të ketë drejtësi për çdo grua”, thuhet në deklaratën e Kolektivit për Mendim dhe Veprim Feminist.