Medica Gjakova dhe medica mondiale kanë publikuar raportin “Unë nuk kam faj për atë që më ka ndodhur”, i cili ekzaminon pasojat afatgjata të përdhunimit të luftës tek të mbijetuarit/ at me prejardhje të ndryshme gjinore dhe etnike në Kosovë.
“Me fokus tek të mbijetuarit/at e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, qëllimi i këtij raporti është t’i vë në pah të gjitha ndikimet dhe dimensionet e përvojave të këtij grupi. Përtej statistikave dhe kureshtjes akademike, ky studim erdhi e u bë një zbulim i pasojave psikosociale, fizike dhe shoqërore të dhunës seksuale, me në qendër historitë e patreguara njerëzore”, thuhet në parathënien e raportit.
Studimi, i cili është realizuar përmes metodologjisë mikse me të dhëna kuantitative të tri instrumenteve psikometrike dhe një pyetësori të posaçëm – i cili është administruar me 200 të mbijetuar/a, së bashku me 20 intervista kualitative, eksploron ndikimin e dhunës seksuale tek individët, mjediset e tyre të afërta familjare dhe shoqërore, duke vënë në pah mekanizmat e ballafaqimit, veprimin dhe fuqizimin.
Nga të dhënat e mbledhura hulumtimi krahas pasojave afatgjate që lë dhuna seksuale si mjet lufte, numëron edhe arsyet kryesore për mos raportim siç janë ndjenja e turpit, frika nga stigmatizimi, mosbesimi në institucione, presioni nga familja dhe mungesa e informacioneve.
Po ashtu, studimi shtjellon rëndësinë e mbështetjes së familjes, OJQ-ve, mediave dhe institucioneve, duke përfshirë reparacionet formale dhe ofron rekomandime të bazuara në informatat e dhëna nga ana e të mbijetuarve/ave.
Raportin përmbledhës e gjeni këtu.
Raportin e plotë në gjuhën angleze e gjeni këtu.