Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Publikohet studimi mbi ekonominë e kujdesit në Kosovë

QIKA 1.12.2023

Instituti për Politika Sociale Musine Kokalari publikoi dokumentin e politikave për ekonominë e kujdesit në Kosovë.

Studimi i hulumtueses Hana Bacaj, i titulluar “Rritja e shpërndarjes më të barabartë të ngarkesës së punës në Kosovë: Fuqizimi i politikave për një rishpërndarje më të drejtë”, shtjellon literaturën sa i përket fushës së ekonomisë së kujdesit si dhe politikat aktuale në Kosovë rreth kësaj çështjeje.

“Siç dokumentohet në studime të shumta kërkimore, përkujdesi si punë e papaguar ka implikime të gjera që prekin jetën e individëve, familjeve dhe komuniteteve në dimensione të ndryshme. Ndikimi i tij kryesor ndihet nga gratë, të cilat shpesh duke mbajtur mbi supe pjesën më të madhe të përgjegjësive të kujdesit brenda familjeve dhe komuniteteve, përballen me qasje të kufizuar në arsim, punësim dhe mundësi të tjera, duke përjetësuar pabarazitë gjinore”, thuhet në studim.

Ndër të tjera, studimi ka disa rekomandime që përfshinë implementimin e një strategjie gjithëpërfshirëse të kujdesit; njohjen dhe rishpërndarjen e përkujdesit si punë të papaguar; fuqizimin e politikave për pushimin prindëror etj.

Pas prezantimit të studimit, Marigonë Drevinja, drejtore e programit në Institut, moderoi një bashkëbisedim me Dr. Artan Mustafa mbi politikat publike dhe sociale në Kosovë.

Studimin e plotë e gjeni në: https://bit.ly/46ANvjG