Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Punëtorja kërkon kontratë, kompania e largon nga puna

QIKA 26.3.2021

Për punën e saj që nga viti 2019 e tutje, Kadrije Abdurrahmani, pastruese në Spitalin e Gjilanit, kishte marrë lëvdata e ishte përgëzuar për sjellje të mira kolegiale, raporton Koha.

Varësisht nga orët e punës, ajo paguhej ndërmjet 130 e 170 eurove në muaj.

Por nga 10 shkurti i këtij viti ka mbetur pa punë, pasi kompania “Aroma Plus”, që më herët mbante emrin “Krasniqi”, nuk i deshi më shërbimet e saja.

Arsyeja, sipas Abdurrahmanit, ishte se kishte kërkuar një kontratë të rregullt pune, pasi një të tillë nuk e kishte pasur asnjëherë, e krejt kjo, që t’i marrë shtesat prej 100 eurosh, që Qeveria i ndan për punëtorët teknikë.

“Kam punuar në të gjitha repartet, kam punuar së pari 6 muaj, më ka larguar, kam punuar 2 vjet, më ka larguar tash së treti 7 muaj i bëra. Qeveria deshi të na i qet nga 100 euro pako dhe unë pata dëshirë me marrë këtë pako se e mbaj familjen, atëherë më kërkoi mua Kompania Aroma Plus që të më largojë prej punës pse e lypa unë kontratën”, ka thënë ajo.

Rastin e saj e ka lajmëruar në Inspektoratin e Punës dhe Polici, e në institucionin e fundit ishte për dy ditë radhazi për të dhënë deklaratë.

Deklarata e pronarit të kompanisë, Dijar Krasniqi, dhënë policisë, se ajo ishte punuar vetëm 2 javë, e kishte shtyrë që të shkonte nëpër reparte të spitalit e të merrte dëshmitë se, ajo në fakt, kishte punuar më gjatë aty.

E një gjë e tillë dëshmohet në fletëreferencat nga Emergjenca, Reparti i Dializës dhe ai i Infektives në Gjilan, të lëshuara që nga viti 2019 e tutje.

Me të njëjtat kishte ngritur ankesë në Inspektoratin e Punës, të cilët, sipas vendimit që e ka Abdurrahmani, kompanisë “Aroma Plus” i kanë shqiptuar gjobë prej 1500 eurosh për shkelje të tri neneve të Ligjit të Punës.

Pronari i kompanisë, Dijar Krasniqi, në përgjigjen për Kohën thotë se dëshmitë për angazhimin e saj, ish-punëtorja e tij kishte marrë jashtëligjshëm e me kërcënime, derisa për çështjen e kontratës, thotë se ajo vetë nuk ka qenë e interesuar për një të tillë.

“Punëtorja në fjalë nuk ka qenë e interesuar për kontratë me kohë të caktuar, sepse më ka thënë: Jam duke i rregulluar letrat për social, pasi që jam me kohë të caktuar. Punëtorja në fjalë ka hyrë në zyrën e kompanisë pa lejen tonë, e cila gjendet në Spital dhe ka fotografuar dokumentet konfidenciale pa lejen tonë. Zonja Abdyrrahmani ka kërcënuar të gjithë stafin e kompanisë, duke thënë se do t’ua hedhin bombat dhe gjaku ka për të shkuar deri në gju në prani të Policisë. Policia ka ndërhyrë dhe e ka arrestuar personin në fjalë”, ka thënë ai.

Lidhur me këtë rast, Koha ka provuar të marrë përgjigje nga zyrtarë të Inspektoratit të Punës në Gjilan dhe selisë në Prishtinë, por që të njëjtit nuk kanë pranuar të flasin.

Marigona Brahimi/Koha.net