Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka gjobitur Koalicionin për Familje në vlerë prej 4.500 eurosh për përdorim të gjuhës së urrejtjes ndaj personave LGBTIQ+. Pas ankesës së paraqitur nga CEL Kosova dhe Dylberizm, PZAP vlerësoi se gjuha e Koalicionit për Familje bie ndesh me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme.
Paneli i PZAP-së, kryesuar nga gjyqtari Hajriz Hoti, konstatoi se Koalicioni për Familjen, ka përdorur qëllimshëm gjuhën e urrejtjes, fyerjen dhe denigrimin e komunitetit LGBTI+ në fushatën e saj zgjedhore dhe ka shkelur ligjin dhe aktet nënligjore.
Andaj, PZAP gjeti se “gjuha e përdorur nga subjekti politik Koalicioni për Familjen ndaj LGBTI+ në tubimet zgjedhore, është në kundërshtim me Kodin e Mirësjelljes për Subjektet Politike, Mbështetësit e tyre dhe Kandidatët, gjegjësisht me dispozitat e nenit 34 LZP-së (Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme) ku janë të përcaktuara veprimet e ndaluara të subjekteve politike dhe me këto veprime janë shkelur dispozitat e nenit 34 paragrafi 1 nën paragrafi 1.11 të LZP-së”.
“Në këtë rast është marrë për bazë konteksti dhe qëllimi për të cilin është përdorur gjuha ndaj një komuniteti, faktin qe deklaratat janë bërë në miting publik, audiencën, andaj sipas Panelit përdorimi i gjuhës së tillë ka për qëllim ofendimin, denigrimin dhe njëherit shihen si shprehje me ngjyrime përçmues ose nënvlerësuese. Rregullat që rregullojnë fushatën zgjedhore kërkojnë nga subjektet politike dhe përfaqësuesit e tyre të shmangin përdorimin e gjuhës fyese, denigruese dhe urrejtëse, andaj sipas Panelit përdorimi i kësaj gjuhe nga kandidatet për deputet është shkelur etika zgjedhore dhe standardet e sjelljes në fushate zgjedhore. Sjellja e tillë minon procesin demokratik dhe promovimin e zgjedhjeve të lira e të drejta. PZAP, me rastin e shqiptimit te gjobës ka marrë për bazë kontekstin se deklarata është bërë në fushatë zgjedhore dhe se fjalitë e përdora i referohen grupeve të caktuara dhe si të tilla përmbajnë elemente të nxitjes së urrejtjes, diskriminimi dhe cenim të drejtave të grupeve që u është referuar”, thuhet në vendimin e PZAP-së.
CEL Kosova dhe Dylberizm kanë njoftuar lidhur me marrjen e vendimit për gjobitje dhe kanë bërë të ditur se më 19 janar kishin parashtruar ankesë kundër deklaratave të kandidatëve të Koalicionit për Familje. Në këtë ankesë shkruhej se kandidatët e këtij subjekti gjatë një tubimit, si dhe në paraqitjet e tyre në programet televizive kanë bërë disa shkelje të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës, Kodit të Mirësjelljes, Ligjit për Mbrojtje nga Diskriminimi dhe Kushtetutës së Republikës së Kosovës. “Po ashtu në këtë ankesë thuhej se veprimet e kandidatëve përfshijnë përdorimin e gjuhës nxitëse dhe diskriminuese ndaj komunitetit LGBTI+, promovimin e përçarjes dhe frikës mes qytetarëve të Kosovës, si dhe nxitjen e urrejtjes përmes përmbajtjes gojore dhe vizuale”, shkruan Dylberizm.
Vendimin e plotë të PZAP-së e gjeni këtu.