Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Radio stacioni në Afganistan që po udhëhiqet nga gratë për gratë

QIKA 9.12.2021

Radio Begum u themelua më 8 mars të këtij viti, pikërisht në Ditën Ndërkombëtare të Gruas, gjegjësisht pesë muaj përpara se talebanët të merrnin Kabulin. Tani ky radio stacion po transmeton zërat e grave që janë heshtur në të gjithë Afganistanin.

Stafi i radios është i përbërë nga gratë të cilat transmetojnë shfaqje edukative, lexime librash si dhe këshillime për gratë. Tani për tani, stafi po vepron me lejen e talebanëve në mënyrë më të kufizuar. Hamida Aman, themeluesja e radios, u shpreh se gratë nuk do të dorëzohen dhe duhet të pushtojnë sferën publike.

Ky stacion transmetohet nga një lagje e klasës punëtore në të gjithë Kabulin dhe zonat përreth, si dhe drejtpërdrejtë në platformën Facebook. Aman pohoi se qëllimi i saj është që ky radio stacion të jetë vendi ku dëgjohet zëri, dhimbja dhe problemet e grave. Megjithëse 10 punonjësit gra e burra të Radio Begum-it ndanin një zyrë të përbashkët, me kufizimet e reja nga talebanët zyrat tani janë ndarë sipas gjinisë, raporton Al Jazeera.

Anëtarët e stafit u shprehën se puna në radio me kolege gra ishte një privilegj për ta, duke marrë parasysh se shumë prej tyre iu ndalua puna në zyrë. Ndërsa, në shtator të këtij viti Tolo News, stacioni kryesor televiziv i pavarur në Afganistan raportoi se më shumë se 150 pika ishin mbyllur për shkak të kufizimeve të reja dhe problemeve financiare.

Njëlloj edhe Radio Begum nuk po merr më të ardhura nga reklamat, gjë që rrezikon mbylljen e tij nëse nuk sigurohen fonde brenda tre muajve. Nëse ndodhë një gjë e tillë, zërat e grave do të zhduken nga valët transmetuese në Afganistan, por sidoqoftë stafi shprehën optimizmin e tyre duke thënë se do të vazhdojnë të përpiqen për të ndihmuar gratë afgane.