Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Raporti i OKB-së tregon se çdo 7 sekonda vdes një grua shtatzënë ose një i porsalindur

QIKA 31.5.2023

Raporti i OKB mbi “Përmirësimin e shëndetit të nënave, të porsalindurve dhe reduktimi i lindjeve të vdekura” vlerëson të dhënat më të fundit, të cilat kanë faktorë dhe shkaqe të ngjashme rreziku dhe gjurmon ofrimin e shërbimeve kritike shëndetësore.

Në përgjithësi, raporti tregon se progresi në përmirësimin e mbijetesës ka ngecur që nga viti 2015; me rreth 290,000 vdekje të nënave çdo vit, 1.9 milionë lindje të vdekura – foshnja që vdesin pas 28 javësh të shtatzënisë dhe 2.3 milionë vdekje të të porsalindurve, gjatë muajit të parë të jetës.

Pandemia e COVID-19, rritja e varfërisë dhe përkeqësimi i krizave humanitare kanë intensifikuar presionet mbi sistemet shëndetësore. Vetëm një në 10 vende (nga më shumë se 100 të anketuara) raportojnë se kanë fonde të mjaftueshme për të zbatuar planet e tyre aktuale.

“Gratë shtatzëna dhe të porsalindurit vazhdojnë të vdesin me ritme të papranueshme të larta në mbarë botën dhe pandemia COVID-19 ka krijuar pengesa të mëtejshme për t’u ofruar atyre kujdesin shëndetësor që u nevojitet” tha Dr. Anshu Banerjee, Drejtor i Shëndetit të Nënës, të Porsalindurve, Fëmijëve dhe Adoleshentëve në Organizatën Botërore të Shëndetësisë (OBSH).

Humbjet e financimit dhe investimi i pamjaftueshëm në kujdesin parësor shëndetësor mund të shkatërrojnë perspektivat e mbijetesës. Për shembull, ndërsa pre maturiteti është tani shkaku kryesor i të gjitha vdekjeve nën pesë vjeç globalisht, më pak se një e treta e vendeve raportojnë se kanë njësi të mjaftueshme të kujdesit për të porsalindurit për të trajtuar foshnjat e vogla dhe të sëmura.

Raporti pasqyron gjithashtu nevojën urgjente për të rritur qasjen në shërbime cilësore të shëndetit seksual dhe riprodhues si pjesë e mbulimit shëndetësor universal dhe kujdesit shëndetësor parësor, veçanërisht në komunitetet ku normat e vdekshmërisë amtare kanë ngecur apo edhe janë rritur gjatë viteve të fundit.

Nevojiten punonjës shëndetësorë më të aftë dhe të motivuar, veçanërisht mamitë, së bashku me barnat dhe furnizimet thelbësore, ujin e sigurt dhe energji elektrike. Raporti thekson se ndërhyrjet duhet të synojnë veçanërisht gratë më të varfra dhe ato në situata të cenueshme, të cilat kanë më shumë gjasa të humbasin kujdesin për shpëtimin e jetës, duke përfshirë planifikimin dhe investimet më të mira.

Përmirësimi i shëndetit të nënës dhe të porsalindurit kërkon më tej adresimin e normave të dëmshme gjinore, paragjykimeve dhe pabarazive. Të dhënat e fundit tregojnë se vetëm rreth 60 për qind e grave të moshës 15-49 vjeç marrin vendimet e tyre në lidhje me shëndetin dhe të drejtat seksuale dhe riprodhuese.

Ky artikull është përkthyer nga Idea Peja në kuadër të programit “Bashkohu me QIKA”