Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Gjykata italiane u njeh të drejtat prindërore çifteve të të njëjtit seks që kanë kryer IVF jashtë vendit

QIKA 27.6.2025

Gjykata Kushtetuese e Italisë vendosi të enjten që partneret gra të të njëjtit seks, të cilat kryejnë fertilizimin in vitro (IVF) jashtë vendit, mund të njihen ligjërisht të dyja si prindër.

Aktivistët për të drejtat LGBTQ+ e mirëpritën vendimin si një fitore të vogël në një vend ku çiftet e të njëjtit seks përballen me një përpjekje të organizuar nga qeveria konservatore në pushtet për t’i penguar që të bëhen prindër, raporton Washington Post.

“Më në fund, edhe kushtetuta jonë përkrahë një ide më të gjerë dhe më gjithëpërfshirëse të familjes”, tha në një deklaratë Gabriele Piazzoni, sekretari i përgjithshëm i Arcigay, grupi italian për të drejtat e komunitetit LGBTQ+.

Italia vazhdon të ketë politika konservatore ndaj çifteve të të njëjtit seks dhe familjeve të tyre, në krahasim me shumë vende të tjera të Bashkimit Evropian. Vendi legalizoi bashkëjetesën në mes të çifteve të të njëjtit seksnë vitin 2016, por ishte shteti i fundit në Evropën perëndimore që e bëri këtë.

Megjithatë, qeveria e djathtë e kryeministres Giorgia Meloni vitin e kaluar ua ndaloi çifteve homoseksuale mundësinë për t’u bërë prindër përmes nënës surrogaci, pasi e bëri krim përdorimin e nënës biologjike për qëllime të tilla edhe jashtë vendit.

Italia gjithashtu ndalon çiftet e të njëjtit seks të birësojnë fëmijë në shumicën e rasteve, megjithatë prindërit jo biologjikë mund të kërkojnë të drejta prindërore përmes një procesi të gjatë ligjor.

Meloni, e cila gjatë fushatës zgjedhore ishte zotuar të kufizonte mundësitë e prindërimit për çiftet LGBTQ+ dhe ka promovuar prej kohësh vlerat tradicionale familjare, ndërmori masa kundër këshillave bashkiake që lejonin regjistrimin e prindërve të së njëjtës gjini në certifikatat e lindjes.