Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Raporti i UNICEF shpërfaq krizën e ujit me të cilën po përballen gratë dhe vajzat

QIKA 17.7.2023

Globalisht, gratë kanë më shumë gjasa të jenë përgjegjëse për bartjen e ujit për familjet, ndërsa vajzat kanë pothuajse dy herë më shumë gjasa se djemtë të mbajnë përgjegjësinë dhe shpenzojnë më shumë kohë duke e bërë atë çdo ditë, sipas një raporti të ri të publikuar nga UNICEF dhe OBSH. Gjithashtu gratë dhe vajzat kanë më shumë gjasa të ndihen të pasigurta duke përdorur një tualet jashtë shtëpisë dhe ndjejnë në mënyrë disproporcionale ndikimin e mungesës së higjienës.

“Çdo hap që bën një vajzë për të sguruar ujë është një hap larg mësimit, lojës dhe sigurisë”, tha Cecilia Sharp, Drejtore e UNICEF-it për WASH dhe CEED. “Uji i pasigurt, tualetet dhe larja e duarve në shtëpi u grabitin vajzave potencialin e tyre, rrezikojnë mirëqenien e tyre dhe përjetësojnë cikle varfërie. Përgjigjja ndaj nevojave të vajzave në hartimin dhe zbatimin e programeve WASH është thelbësore për arritjen e aksesit universal në ujë dhe kanalizime dhe për arritjen e barazisë dhe fuqizimit gjinor.”

Sipas raportit, në nivel global, 1.8 miliardë njerëz jetojnë në familje pa furnizim me ujë në objekte. Gratë dhe vajzat e moshës 15 vjeç e lart janë përgjegjëset kryesore për ta siguruar ujin në 7 nga 10 familje të tilla, krahasuar me 3 në 10 familje për bashkëmoshatarët e tyre djem. Vajzat nën 15 vjeç (7%) gjithashtu kanë më shumë gjasa se djemtë nën 15 vjeç (4%) të mbledhin ujë. Në shumicën e rasteve, gratë dhe vajzat bëjnë udhëtime më të gjata për ta mbledhur atë, duke humbur kohë në arsim, punë dhe kohë të lirë, dhe duke e vënë veten në rrezik të lëndimeve fizike dhe rreziqeve gjatë rrugës.

Raporti tregon gjithashtu se më shumë se gjysmë miliardë njerëz ende ndajnë objektet sanitare me familjet e tjera, duke rrezikuar privatësinë, dinjitetin dhe sigurinë e grave dhe vajzave. Për shembull, sondazhet e fundit nga 22 vende tregojnë se në mesin e familjeve me tualete të përbashkëta, gratë dhe vajzat kanë më shumë gjasa se burrat dhe djemtë të ndihen të pasigurta duke ecur vetëm gjatë natës dhe të përballen me ngacmime seksuale dhe rreziqe të tjera të sigurisë.

Për më tepër, shërbimet e papërshtatshme WASH rrisin rreziqet shëndetësore për gratë dhe vajzat dhe kufizojnë aftësinë e tyre për të menaxhuar në mënyrë të sigurtë dhe private ciklin menstrual. Midis 51 vendeve me të dhëna të disponueshme, gratë dhe vajzat adoleshente në familjet më të varfra dhe ato me aftësi të kufizuara kanë më shumë gjasa të kenë mungesë të një vendi privat për t’u larë dhe ndërruar.