Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Raporti zbulon se 1 në 3 gra përjeton dhunë nga partneri intim në Finlandë

QIKA 30.11.2021

Sipas degës finlandeze të UN Women, 1 në 3 gra përjeton dhunë nga partneri intim përgjatë jetës së tyre. Një gjë e tillë e bën Finlandën vendin e dytë më të rrezikshëm për gratë brenda Bashkimit Evropian. Gati gjysma e vajzave dhe grave mbi moshën 15 vjeç përjetojnë një formë të dhunës fizike ose seksuale gjatë jetës së tyre.

Sipas të dhënave të publikuara nga Departamenti i Emergjencave dhe Shërbimeve Sociale, shifrat e dhunës ndaj grave nga partneri intim në Finlandë janë rritur. Deri më 19 nëntor të këtij viti, në numrin e urgjencës së këtij departamenti janë pranuar rreth 333 thirrje për raste të dhunës, ndërsa në vitin 2020 ishin pranuar 250 thirrje.

Anu Ahosmäki, punonjëse në departament, theksoi se numri i shtruar i raportimeve për rastet e dhunës është i lidhur me periudhën e pandemisë COVID-19. Sipas saj, situata ka qenë edhe më sfiduese për shtëpitë ku ka pasur dhunë në të kaluarën, me ç’rast tensionet mund të jenë më të shprehura. Rritja e telefonatave mund ti atribuohet ndërgjegjësimit për shërbimet e disponueshme për viktimat e dhunës në një marrëdhënie, tha Ahosmäki.

Sipas studimit të Bordit Kombëtar të Policisë, vitin e kaluar u vizituan më shumë se tre herë rreth 550 adresa si pasojë e raportimeve të dhunës. Të dhënat tregojnë se rreth 20 shtëpi kanë pasur deri në 11 vizita në vit, pothuajse një vizitë në muaj. Teemu Huttunen, rreshteri i Departamentit të Policisë së Finlandës Jugperëndimore, tha se dhuna nga partneri intim është në rritje, raporton Yle News Finland.

Statistikat sugjerojnë se oficerët kanë bërë më shumë vizita nëpër shtëpi për shkak të alarmeve të dhunës në familje përgjatë pandemisë. “Kjo mund të jetë për shkak të faktit se shpesh është më e lehtë për një viktimë të dhunës të kontaktojë shërbimet sociale sesa të kërkojë ndihmën e policisë nga qendra e urgjencës”, tha rreshteri Huttunen.