Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Raportohet në polici se 5 persona dhunuan një vajzë të mitur në Prishtinë

QIKA 29.8.2022

Policia e Kosovës raporton se 5 persona dyshohet se kanë dhunuar një të mitur në Prishtinë, rasti është raportuar të ketë ndodhur të shtunën në mbrëmje në periudhën kohore 17:30 – 00:30.

“Prishtinë 27.08.2022-17:30-00:30. Ankuesja femër kosovare ka raportuar se pesë persona të dyshuar kanë kryer veprën  e lartcekur ndaj viktimës femër kosovare. Lidhur me rastin pas intervistimit viktima është dërguar në strehimore, ndërsa dy të dyshuar meshkuj kosovarë  janë arrestuar dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit të njëjtit janë dërguar në mbajtje. Rasti në procedurë hetimore.”

Detaje tjera më të hollësishme ka dhënë zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Laureta Ulaj. Ajo ka thënë se i mitur është edhe njëri nga të dyshuarit, raporton KOHA.

“Viktima është e mitur, si dhe njëri nga të dyshuarit që është arrestuar. Me urdhër të prokurorit kujdestar nga Departamenti për të Mitur, janë ndaluar dy të dyshuar, personi madhor është ndaluar në kohëzgjatje prej 48 orësh, ndërsa i mituri në kohëzgjatje prej 24 orësh”, ka thënë Ulaj.

Sipas saj, Prokurori i Shtetit ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit në gjykatën kompetente.

Dy nga pesë të dyshuarit janë arrestuar, ndërsa për tre personat e tjerë të përfshirë nuk është bërë ende e ditur nëse janë identifikuar.