Ndonëse Prokuroria kishte arritur t`i akuzonte dy grupe për dhunimin e 11 vjeçares, rast i cili kishte ndodhur në vitin 2022, tashmë prokuroria është duke zhvilluar procedurë penale edhe ndaj 7 personave tjerë të dyshuar.
Tre prej tyre tashmë u është caktuar masa e paraburgimit kurse për katër të tjerë të dyshuar për këtë rast e kanë mbajtur sot më 28.02.2025 seancën dëgjimore për këtë rast. Seanca ka qenë e paraparë të mbahet të premten më 28.02.2025 nga ora 09:30, dhe tashmë është konfirmuar se seanca ka përfunduar, raporton Kallxo.com.
Sipas përgjigjes së Prokurorisë tre persona janë duke u dyshuar për “Dhunim” kurse 2 prej tyre dyshohen për “Trafikim me njerëz” si dhe dy persona po dyshohen për “Shërbime Seksuale të Viktimës së trafikimit”.
“Lidhur me pyetjen tuaj ju njoftojmë se Prokurori i shtetit ka caktuar masën e paraburgimit ndaj tre (3) personave të dyshuar për veprën penale, ndërsa sot me datë 28.02.2025 po mbahet seanca dëgjimore prej orës 9:30 minuta kundër katër (4) personave të dyshuar për veprën penale. Personat të cilët dyshohet se kanë kryer veprat penale janë: Tre (3) persona për vepër penale ”Dhunimi”, dy (2) persona për vepër penale ”Trafikimi me njerëz”, si dhe dy (2) persona për vepër penale ”Shërbimet seksuale të viktimës së trafikimit””- thuhet në përgjigjen e Prokurorisë së Prishtinës.
Për rastin e dhunimit të 11 vjeçares Gjykata e Prishtinës, kishte zhvilluar dy procedura penale të ndara.
Gjykata e Apelit e kishte ndryshuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës, duke ua ulur dënimin me burgim 4 të akuzuarve (grupit të parë) për rastin e dhunimit të 11-vjeçares.
Gjykata e Prishtinës me aktgjykimin e shpallur më 31.05.2024 të pandehurin Ekrem Rexhepi e kishte dënuar me 14 vjet dënim me burg, kurse tre të miturit G. R., G. J., dhe Xh. S., me nga 7 vjet burgim secili veç e veç. Kurse, për të akuzuarin e pestë, Shkëlqim Kamberin, rasti ishte veçuar.
Ndërsa, Gjykata e Apelit më 12.11.2024 ka ndryshuar aktgjykimin e Themelores, me ç’rast të akuzuarit Ekrem Rexhepit dënimin me 14 vjet burg ia ka ulur në 10 vjet burg.
Ndërsa 3 të miturve të akuzuar në këtë rast G. R., G. J., dhe Xh. S., nga 7 vjet burg secilit Apeli ua ka ulur dënimin me nga 5 vjet secilit.
Sipas aktgjykimit të Apelit, në dënim të pandehurve do t’u llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim nga data 28, respektivisht 29 gusht 2022 deri më 03.05.2023.
Ky aktgjykim është shpallur nga kolegji i përbërë nga gjyqtarët Kymete Kicaj, Beqir Kalludra dhe Abdullah Ahmeti.
Në dhjetor të vitit 2022, Prokuroria e Prishtinës kishte ngritur aktakuzë ndaj Ekrem Rexhepit, Shkëlqim Kamberit dhe tre personave të mitur për rastin e dhunimit në gusht të vitit 2022 të një 11-vjeçareje.
Sipas dosjes së Prokurorisë, më 27.08.2022, në intervalin kohor prej orës 18:00 deri 20:00, në parkun e lagjes “Arbëria” në Prishtinë, të miturit G. J. dhe Xh. S. e kanë takuar rastësisht të miturën dhe kanë filluar ta ngacmojnë me fjalë e pastaj e kanë dhunuar seksualisht.
Sipas dosjes së organit ndjekës, kur e mitura ka bërtitur të pandehurit ia kanë mbyllur gojën e kur ajo është larguar në drejtim të shtëpisë së saj, të pandehurit e kanë tërhequr dhe kapur për dore pa dëshirën e saj duke e dërguar të miturën në një livadh të njohur me emrin “Cigllana”.
Sipas aktakuzës, të pandehurit e mitur e kanë shtrirë në tokë, dhe i mituri me iniciale G. J. e ka mbajtur në pjesën e sipërme të trupit gjersa Xh. S. ka vazhduar ta dhunojë, e kur është larguar ai ka filluar i mituri G. R. që të dhunojë të miturën, e gjatë kësaj kohe G. J. ka qenë duke ia mbajtur këmbët të miturës.
Prokuroria pretendon se këtë ngjarje të miturit G. R. dhe Xh. S. e kanë incizuar dhe ia kanë dërguar një personi. Për këtë veprim, ata akuzohen për veprën penale – keqpërdorimi i fëmijëve në pornografi.
Nga këtu, sipas Prokurorisë, ngjarja ka vazhduar me njërin nga të miturit duke telefonuar të akuzuarin Ekrem Rexhepi, i cili kishte shkuar në vend ngjarje me veturën e tipit “Pick up”, dhe i ka marrë në veturë tre të miturit bashkë me 11-vjeçaren, duke vazhduar rrugën drejt varrezave, ku dy të miturit kanë zbritur, e pas pak minutash më larg i akuzuari Ekrem Rexhepi edhe vetë e kishte dhunuar të miturën.
Ndërsa, këtë ngjarje Prokuroria pretendon se e ka incizuar i mituri G. J., i cili pastaj ia ka dërguar një personi videon në rrjetet e tij sociale TikTok dhe Snapchat. Me këtë Prokuroria e ngarkon me veprën keqpërdorim i fëmijëve në pornografi.
Sipas aktakuzës, rreth orës 22:40, Ekrem Rexhepi ka telefonuar të akuzuarin tjetër, Shkëlqim Kamberi, duke i aranzhuar takim të njëjtit me viktimën, e më pas ia ka huazuar veturën dhe edhe i akuzuari Kamberi e ka dhunuar seksualisht të miturën.