Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Roya Heshmati dënohet për mosmbajtje të hixhabit të detyrueshëm

QIKA 22.2.2024

Të mërkurën e kaluar, autoritetet iraniane zbatuan dënimin ndaj Roya Heshmatit e cila refuzoi ta mbante hixhabin e detyrueshëm.

Mazyar Tataei, avokati i Heshmatit, tha se fillimisht, Heshmati u dënua me 13 vjet e nëntë muaj burg, 112,500,000 rial gjobë dhe 148 kamxhikë, por rishikimi i aktgjykimit zbriti dënimin në 12,500,000 rial dhe 74 kamxhikë.

33 vjeçarja tha se e hoqi shaminë me të mbërritur në gjykatë për të marrë dënimin, por përfundimisht u prangos dhe u detyrua të mbante hixhabin teksa rrihej me kamxhik. Ajo tregoi se gjatë marrjes së dënimit kishte përsëritur vazhdimisht fjalët: “Në emër të gruas, në emër të jetës, rrobat e skllavërisë grisen, nata jonë e zezë do të gdhijë dhe të gjithë kamxhikët do të thyhen”.

Agjencia e Lajmeve Mizan, e lidhur me sistemin gjyqësor të Iranit, raportoi se Heshmati ishte përfshirë në sjellje jashtë normës dhe tha se ajo kishte dalë në rrugët e Teheranit në “gjendje të papërshtatshme”. Gjendja e papërshtatshme i referohet një imazhi që e përshkruan atë duke ecur në rrugët e Teheranit pa shami, e veshur me një bluzë me mëngë të shkurtra dhe një fund të gjatë, raporton Euronews.

Heshmati e ka ndarë historinë e dënimit të saj në profilin e saj në Instagram, duke shkaktuar reagime të panumërta që shprehin solidaritetin dhe dënojnë dhunën brutale të autoriteteve të Republikës Islamike.