Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Safe Journalists dhe Asociacioni Gazetarëve të Kosovës reagojnë kundër vandalizimit të zyrës së QIKA-s

QIKA 13.6.2024

Pas vandalizimit të zyrës së QIKA-s, ku persona të panjohur kanë ngjyrosur me sprej të zi logon “QIKA.org”, kanë reaguar edhe Safe Journalism dhe AGK.

Platforma Rajonale e Ballkanit Perëndimor, SafeJournalists – anëtare e së cilës është edhe AGK-ja, shkruan se ky sulm është i papranueshëm dhe bën thirrje për Policinë e Kosovës që ta hetojnë këtë rast dhe se do të informojë palët e interesuara përkatëse kombëtare dhe ndërkombëtare për këtë rast.

“Vandalizmi i logos së QIKA-s kontribuon në gjuhën e urrejtjes dhe sulmeve verbale ndaj individëve të komunitetit LGBTIQ+. Përveç kësaj, ajo portretizon edhe mjedisin e ashpër në të cilin gazetaret duhet të kryejnë detyrat e tyre profesionale. Për më tepër, kjo nuk është hera e parë që kjo organizatë bëhet cak i sulmeve të ngjashme.

Rrjeti SafeJournalists, i cili përfaqëson profesionistët e medias në Ballkanin Perëndimor, i kërkon Policisë të hetojë këtë rast. Rrjeti gjithashtu bën thirrje për tolerancë dhe respekt për grupet e ndryshme dhe të drejtat e tyre ligjore”, thuhet ndër të tjera në deklaratë.

Kurse në deklaratën e AGK-së thuhet se ky sulm është i papranueshëm, i shëmtuar dhe sulm i drejtpërdrejt ndaj të drejtave të njeriut dhe lirisë së shprehjes, e medias. 

“Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka pranuar me shqetësim informatën se është vandalizuar logo e organizatës joqeveritare Qendra për Informim, Kritikë dhe Aksion – QIKA.

Në njoftim, bëhet e ditur se vandalizimi i logos së organizatës ka ndodhur pas transmetimit të emisionit “Ngjyrat e dashurisë”, dhe vendosjes së flamurit të komunitetit LGBTIQ+, në ballkonin e QIKA-s. 

Për AGK-në, ky akt është i papranueshëm, i shëmtuar dhe sulm i drejtpërdrejt ndaj të drejtave të njeriut dhe lirisë së shprehjes, e medias. 

Vandalizimi i logos së QIKAs, kontribuon në gjuhën e urrejtjes dhe sulmeve verbale ndaj personave të komunitetit LGBTIQ+, prandaj i bëjmë thirrje Policisë që të hetojë rastin me urgjencë.  Për më tepër, që nuk është hera e parë që kjo organizatë është cak i sulmeve të ngjashme.”