Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Seksizmi përshkon çdo shtresë të industrisë së muzikës

QIKA 26.2.2024

Raporti ‘Misogyny in Music’ nga deputetët britanikë të Komitetit të Grave dhe Barazisë, i publikuar më 30 janar, ngriti shqetësimin lidhur me diskriminimin gjinor, ngacmimin seksual dhe abuzimin që ende mbeten shumë të përhapur në të gjithë industrinë e muzikës.

Hulumtimi ndërpartiak dëgjoi prova nga një gamë e gjerë dëshmitarësh të lidhur me industrinë e muzikës, raporton The Conversation. Gjetjet janë thellësisht shqetësuese, duke theksuar se gratë që punojnë në industri përballen me kufizime në mundësi, mungesë mbështetjeje, diskriminim me bazë gjinore dhe ngacmim e sulm seksual, si dhe çështjen e vazhdueshme të pagave të pabarabarta në një sektor të dominuar nga vetëpunësimi dhe disbalanci gjinor i pushtetit.

Ky raport pason një sërë hetimesh paraprake mbi diskriminimin brenda industrisë së muzikës. Gjetje te ngjashme u prezantuan në shtator të vitit 2022 nga Shoqata e Pavarur e Muzikantëve në raportin ‘Dignity At Work 2: Discrimination in the Music Sector’. Në raport thuhej se 66% e të anketuarve kishin përjetuar ndonjë formë diskriminimi dhe 78% këtyre formave ishin kryer kundër grave. 58% e grave kishin identifikuar diskriminimin ndaj tyre si ngacmime seksuale ndërsa 76% e punëtoreve e kishin përjetuar atë në studio apo hapësira tjera pune.