Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Shtyhet shqyrtimi i Projektligjit për shëndetin riprodhues dhe fertilizim të asistuar

QIKA 22.2.2024

Projektligji për shëndetin riprodhues dhe fertilizim të asistuar mjekësor nuk ka mundur të votohet në Kuvendin e Kosovës për shkak të kuorumit, ndërsa është shtyrë për një seancë tjetër.

Kryeparlamentari Glauk Konjufca tha se kuorumi s’u bë “sepse një deputet i mazhorancës qëllimshëm nuk po voton për ta pamundësuar procedimin e projektligjit” – bëhej fjalë për deputetin Eman Rrahmani. Konjufca shtoi se kjo pikë shtyhet për një seancë tjetër, kurdo që vendos Kryesia.

Pas katër tentimeve, ky projektligj është miratuar në parim nga Kuvendi i Kosovës në tetor të vitit të kaluar.

Ky projektligj ka nxitur debat në vend që kur u prezantua për herë të parë para deputetëve. Disa deputetë të pushtetit patën dalë kundër e duke nxitur edhe reagime të organizatave joqeveritare.

Projektligji parasheh që shërbimi IVF të aplikohet edhe në sektorin publik, pasi deri tash mundësohej vetëm në klinikat private në Kosovë dhe jashtë vendit.

Ishte tentuar të miratohej tre herë të tjera, por nuk kishte marrë vota të mjaftueshme, raporton Telegrafi.