Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Sistemi i azilit në Mbretërinë e Bashkuar ritraumatizon gratë që largohen nga abuzimi seksual

QIKA 5.12.2024

Organizatat bamirëse Rape Crisis England and Wales (RCEW) dhe Imkaan po akuzojnë sistemin e azilit në Mbretërinë e Bashkuar, se ritraumatizon gratë dhe vajzat që kanë ikur nga dhunimi seksual dhe abuzimi, duke i ekspozuar ndaj rreziqeve të mëtejshme. Në raportin e tyre, ‘Not Safe Here’, theksohen dështimet sistematike, përfshirë akomodime të pasigurta me burra të panjohur, mungesë mbrojtjeje dhe procedurat traumatike të azilit.

Raporti zbulon se shumë gra detyrohen të ndajnë hapësira me burra të panjohur, përfshirë dhomat e gjumit, duke u bërë të cenueshme ndaj sjelljeve abuzuese nga banorët dhe stafi, për shkak të mbikëqyrjes së dobët dhe mungesës së mbështetjes. Të mbijetuarat përshkruajnë intervistat e azilit si shqetësuese, ndërsa vendimmarrësit shpesh nuk u besojnë rrëfimeve të tyre, duke thelluar më tej traumat e tyre.

Raporti kritikon gjithashtu Aktin e Kombësisë dhe Kufijve të vitit 2022 për penalizimin e grave që vonojnë paraqitjen e kërkesave ose provave, pa marrë parasysh barrierat e shkaktuara nga trauma dhe frika.

Ndër rekomandimet kryesore janë sigurimi i strehimit të ndjeshëm ndaj gjinisë, mbështetje të veçantë për traumat dhe heqja e politikës “pa përfitime nga fondet publike”, e cila i shtyn gratë e refuzuara në varfëri dhe shfrytëzim.

Ndërsa një zëdhënës i Home Office deklaroi përkushtimin ndaj një procesi azili i cili është i ndjeshëm ndaj gjinisë, organizatat bamirëse theksojnë se praktikat aktuale janë larg standardeve dhe kërkojnë ndryshime të menjëhershme për të garantuar sigurinë dhe dinjitetin e grave që kërkojnë strehim në Mbretërinë e Bashkuar.