Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Skandali i Activision Blizzard është një moment i rëndësishëm për gratë në industrinë e lojërave

QIKA 12.8.2021

Padia ndaj kompanisë më të famshme në botë për video lojëra, Activision Blizzard, e solli në diskutim publik rëndësinë e ndryshimit në mënyrën se si funksionojnë industritë e lojërave. Kjo padi ndodhi pasiqë përditshmëria e punës nuk ishte e këndshme për gratë brenda kompanisë, meqenëse ato poshtëroheshin, ngacmoheshin seksualisht madje shpesh edhe abuzoheshin fizikisht.

Akuzat japin mjaft pamje dhe ide shqetësuese të jetës së këtyre grave në vendin e punës, ato përjetonin ngacmime seksuale, diskriminim gjinor, hakmarrje dhe sistemi se si funksiononte puna ishte e stilit “frat boy”, ku burrat objektivizonin trupat e grave dhe bënin shaka haptazi për përdhunimin.

Padia u ngrit nga departamenti i Kalifornisë për punësim të drejtë ku akuzon kompaninë shumë miliardë dollarësh, e cila ka edhe prodhimtarinë e Call of Duty, World of Warcraft dhe Candy Crush, për shkelje të të drejtave civile shtetërore dhe ligjeve për paga të barabarta.

Fuqia punëtore e kompanisë kishte vetëm 20% gra, ndërsa të gjitha pozicionet e nivelit ekzekutiv mbaheshin nga burrat e bardhë, thuhet në padi. Gratë janë paguar në mënyrë sistematike më pak se homologët e tyre burra, u janë ofruar më pak promovime dhe janë anashkaluar për emërime në role drejtuese.

Në padi gjithashtu thuhet se gratë janë diskriminuar edhe përgjatë shtatzënisë së tyre, duke thënë se mbikëqyrësit injoruan propozimet që parasheh mjekësia për punonjëset gra dhe njëkohësisht duke u dhënë atyre vlerësime negative përgjatë pushimit të lehonisë.

Ekspertët thonë se pasojat në Activision Blizzard mund të jenë një pikë kthese në industrinë e lojërave, pasiqë këto industri me punonjës dhe me kërkesa të mëdha duhet të bëjnë ndryshime urgjente.

Presioni në rritje dhe humbjet e mundshme ekonomike mund t’i shtyjnë kompanitë e tjera të lojërave të marrin më seriozisht ngacmimet dhe diskriminimin në vendin e punës, tha Kellen Voyer, një avokat i specializuar në korporatat e video lojërave.