Alb Eng
Për QIKA
Lajme

Studimi i ri zbulon se gratë po luftojnë për të gjetur trajtim për menopauzë

QIKA 13.7.2021

Një studim i ri zbulon se gratë në Mbretërinë e Bashkuar kanë sfida të shumta në trajtimin e menopauzës. Studimi i kryer për mjeken e menopauzës Dr Louise Newson, përmes një sondazhi, përfshiu përgjigje nga 5187 gra dhe zbuloi se shumë prej tyre po përjetonin simptoma nga menopauza por nuk po merrnin mbështetjen e nevojshme.

Afërsisht 70% e të anketuarave thanë se kishin përjetuar djersitje, probleme me humorin, marramendje dhe probleme me kujtesën, ku gati 74% pohuan se kishin simptoma për më gjatë se një vit. Për më tepër, 15% e grave thanë se kishin përjetuar simptoma për më shumë se gjashtë vjet.

Sondazhi gjithashtu zbuloi se gratë shpesh duhet të vizitojnë mjekun e tyre mjekësor disa herë para se të marrin ndihmë. Nga të anketuarat, 7% thanë se ato kishin vizituar mjekun e tyre më shumë se 10 herë para se të merrnin ndihmë ose këshilla për të përballuar simptomat e tyre të menopauzës. Nga ato që morën trajtim, 44% duhej të prisnin të paktën një vit për të, ndërsa 12% duhej të prisnin më shumë se pesë vjet, raporton The Independent.

Për sa i përket trajtimit që morën, 37% e grave morën terapi hormonale zëvendësuese (THZ). Ndërkohë, 23% morën ilaçe kundër depresionit, gjë që bie në kundërshtim me udhëzimet nga Instituti Kombëtar për Shëndetësinë dhe Kujdesin e Ekselencës i cili thotë se grave nuk duhet t’i jepen tableta antidepresive për simptoma si skuqja dhe djersitja.

“Sondazhi ynë konfirmoi se gratë ende po përballen me vonesa në marrjen e një diagnoze për perimenopauzën dhe menopauzën e tyre dhe ato po presin shumë gjatë për të marrë THZ”, komentoi doktoresha Newson. Newson shtoi se ajo ka parë një rritje të interesit nga profesionistë mjekësorë që duan të merren me menopauzën dhe si ajo mund të menaxhohet. “Ky proces megjithatë është tejet i ngadaltë për gratë që po luftojnë”, tha ajo.

Sondazhi vjen pasi që Britania e Madhe u përball me një mungesë të madhe të THZ-së në 2019.

QIKA

Qendra për Informim, Kritikë dhe Aksion - QIKA është organizatë e themeluar në gusht të vitit 2020, që për qëllim ka mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të barabarta për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës.