Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Suedia po përballet me një valë të vrasjeve të grave

QIKA 6.5.2021

Gjashtë gra janë vrarë në Suedi vetëm gjatë pesë javëve të fundit. Kjo ka ringjallur debate në lidhje me dhunën në familje në një shtet që vlerësohet për barazi gjinore. Vrasjet kanë ndodhur në tre rajone të ndryshme, por pothuajse në të gjitha rastet ka pasur një faktor të përbashkët: të arrestuarit e krimit ishin gjithmonë të njohur për viktimat.

Vala e fundit e vrasjeve vjen mes shqetësimeve në rritje për dhunën ndaj grave në Suedi, e cila ka mbajtur prej kohësh reputacionin si një nga vendet më të sigurta për gratë në botë. Në vitin 2020, u raportuan 16,461 raste sulmi kundër grave. Kjo shifër paraqet një rritje prej 15.4% në krahasim me shifrën e vitit 2019 që ishte 14,261.

Ministrja suedeze për barazi gjinore, Marta Stenevi, thotë se ajo është e tmerruar dhe e mërzitur nga rastet e fundit të dhunës, por nuk është e befasuar. “Kemi arritur mjaft larg në rritjen e barazisë gjinore në Suedi, por ende jetojmë me strukturat në shoqëri të cilat shtypin gratë”, thotë ajo.

“Qeveria feministe” e Suedisë është tashmë në mesin e një strategjie kombëtare 10-vjeçare që përfshinë përmirësimin e arsimit dhe ofrimin e mbrojtjes e mbështetjes për gratë nën kërcënim.

Kryetarja e  Organizatës Kombëtare Suedeze për Strehimoret e Grave, Jenny Westerstrand, pajtohet se ka pasur një pasivitet publik në lidhje me dhunën brenda familjes. “Shumë njerëz në Suedi janë pothuajse të lodhur duke folur për dhunën, pasi ajo është gjithmonë pjesë e agjendës, por në të vërtetë kurrë nuk adresohet si duhet,” thotë ajo.