Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Tajlanda kërkon legalizimin e martesave të të njëjtit seks

QIKA 27.3.2024

Tajlanda ka bërë hap historik drejt barazisë pas miratimit të projektligjit që i jep njohje ligjore martesës brenda të njëjtit seks.

Edhe pse ky ligj ka nevojë për miratim nga Senati dhe miratim mbretëror për t’u bërë ligj, gjithsesi, pritet që kjo të ndodhë deri në fund të vitit 2024, duke e bërë Tajlandën të vetmin vend të Azisë Juglindore që njeh bashkimet e të njëjtit seks.

Kjo nismë do e bëjë Tajlandën si strehë alternative për çiftet LGBTQ+ në një rajon ku qëndrime të tilla janë të rralla.

“Ky është fillimi i barazisë. Nuk është një kurë universale për çdo problem, por është hapi i parë drejt barazisë,” i tha parlamentit Danuphorn Punnakanta, një deputet dhe kryetar i komitetit të dhomës së ulët për barazinë martesore, ndërsa prezantonte projektligjin.

“Ligji kërkon t’u kthehen të drejtat personave LGBTIQ+, jo t’u japë atyre të drejtën që veçse u takon,” shton ai.

Ligji i ri, i cili u miratua prej 400 nga 415 ligjvënës të pranishëm, do të përshkruajë martesën si një partneritet midis dy individëve, duke zëvendësuar emërtimin e tanishëm “mes një burri dhe një gruaje”. Gjithashtu, ky ligj do t’u japë çifteve LGBTQ+ të drejta të barabarta për të marrë kursime tatimore martesore, për të trashëguar pronën dhe për të dhënë pëlqimin për trajtim mjekësor për partnerët që janë të paaftë.

Sipas ligjit, çiftet e martuara të të njëjtit seks mund të birësojnë edhe fëmijë. Megjithatë, dhoma e ulët nuk e miratoi sugjerimin e komitetit për të përdorur termin “prindër” në vend të “baballarëve dhe nënave”.

Tajlanda tashmë ka ligje që ndalojnë diskriminimin mbi identitetin gjinor dhe orientimin seksual dhe, për këtë arsye, shihet si një nga vendet më miqësore të Azisë për personat LGBTQ+.