Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Talebanët marrin vendim për mbylljen e salloneve të bukurisë

QIKA 24.7.2023

Me urdhër të talebanëve, sallonet e flokëve dhe bukurisë në Afganistan do të mbyllen tërësisht nga java e ardhshme. Mbyllja do të çojë në humbjen e rreth 60,000 vendeve të punës.

Vendimi kufizon më tej hapësirat e hapura për gratë afgane, të cilave tashmë u është ndaluar hyrja në klasa të mësimit, palestra e parqe.

23-vjeçarja Zarmina ishte në një sallon bukurie duke i ngjyrosur flokët, kur lajmi për mbylljet u bë publik. “Pronarja mori një tronditje të madhe dhe filloi të qajë. Ajo është mbajtësja e familjes së saj. Të gjitha punëtoret filluan të qajnë dhe më pas kishte vetëm heshtje”, tha nëna e dy fëmijëve.

Zarmina jeton në Kandahar të Afganistanit jugor. Ajo thotë se është e zakonshme këtu që burrat t’i ndalojnë vajzat e tyre të bëjnë make-up ose të shkojnë në sallone bukurie.” Shumica e grave ecin me burka ose hixhab. Ne e kemi pranuar atë si pjesë të kulturës sonë”, shton ajo.

Zarmina u martua në moshën 16-vjeçare dhe thotë se një bisedë me estetisten ishte e mjaftueshme për t’i dhënë asaj një ndjenjë të rrallë lirie.

“Nuk më lejuan të largohesha nga shtëpia ime, por arrita ta bindja burrin tim dhe më lejuan të vizitoja sallonin e bukurisë dy ose tre herë në vit. Ajo shkonte në sallon me një grua nga lagjja e saj, duke krijuar një miqësi të thellë me një nga punëtorët e sallonit.

“Në të kaluarën, gratë flisnin për mënyrat për të ndikuar tek burrat e tyre. Disa ishin të hapura për pasiguritë e tyre”, thotë Zarmina. Por kriza ekonomike kishte hyrë gradualisht në jetën e tyre pasi talebanët rimorën pushtetin pas tërheqjes së forcave amerikane nga vendi. Liritë e grave janë tkurrur në mënyrë të vazhdueshme që atëherë. “Tani gratë flasin vetëm për papunësinë, diskriminimin dhe varfërinë”, shton ajo.