Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Talibanët i ndalojnë grave afgane të hyjnë në panaire argëtimi dhe parqe

QIKA 17.11.2022

Nga mbulesa totale, ndalimi i lëvizjes së lirë e deri tek ndalimi i frekuentimit të parqeve dhe panaireve, talibanët po godasin lirinë e grave çdo ditë e më shumë.

Grave afgane iu ndalua hyrja në parqet e kryeqytetit Kabul këtë javë, disa ditë pasi qeveria vendosi më shumë kufizime për gratë dhe vajzat.

“Ne jemi thjesht të mërzitura dhe të ngopura, duke qenë në shtëpi gjatë gjithë ditës, mendjet tona janë të lodhura,” u tha gazetarëve një grua afgane. “Nuk ka shkolla, nuk ka punë… Të paktën duhet të kemi një vend për t’u argëtuar,” shtoi ajo.

Rregulli i ri, i prezantuar këtë javë, i largon më tej gratë nga hapësirat publike. Ato tashmë e kanë të ndaluar të udhëtojnë pa një shoqërues burrë dhe janë të detyruar të mbajnë hixhab ose burka sa herë që janë jashtë shtëpisë. Shkollat e mesme për vajza gjithashtu janë mbyllur për më shumë se një vit në pjesën më të madhe të vendit.

“Për 15 muajt e fundit, ne u përpoqëm të aranzhonim dhe rregullonim – madje specifikuam ditët e daljes në park,” tha Mohammad Akif Sadeq Mohajir, zëdhënës i Ministrisë për Parandalimin e Veseve dhe Promovimit të Virtytit. “Por megjithatë, në disa vende – në fakt, duhet të themi në shumë vende – rregullat u shkelën,” shtoi ai për AFP.