Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Talibanët sjellin rregulla të reja për studentet gra në Afganistan

QIKA 13.9.2021

Universitetet afgane do të ndahen sipas gjinisë dhe poashtu në to do zbatohet një kod i ri i veshjes, kanë thënë talibanët. Ministri i Arsimit të Lartë Abdul Baqi Haqqani tha se gratë do të lejoheshin të studionin, por jo përkrah burrave. Ai gjithashtu njoftoi për një rishikim të lëndëve që do t’u mësoheshin studentëve.

Nën sundimin taliban mes vitit 1996 deri 2001 gratë dhe vajzat u ndaluan nga shkollat dhe universitetet. Talibanët kanë thënë se nuk do t’i pengojnë gratë të arsimohen apo të kenë punë. Por që kur ata morën kontrollin më 15 gusht, ata u kanë kërkuar të gjitha grave, përveç atyre në sektorin e shëndetit publik, që të qëndrojnë larg punës, derisa të përmirësohet situata e sigurisë, raporton BBC.

Njoftimi i së dielës për politikën e arsimit të lartë vjen një ditë pasi talibanët ngritën flamurin e tyre mbi pallatin presidencial, duke sinjalizuar fillimin e administrimit të tyre. Ata morën kontrollin nga qeveria e zgjedhur një muaj më parë.

“Ne nuk e shohim si problem përfundimin e sistemit të arsimit të përzier. Njerëzit janë myslimanë dhe ata do ta pranojnë sistemin e ndarë”, tha z. Haqqani.

Disa kanë sugjeruar që rregullat e reja do të përjashtojnë gratë nga arsimi sepse universitetet nuk kanë burime për të siguruar klasa të veçanta. Megjithatë, z. Haqqani këmbënguli se ka mjaft profesoresha dhe se aty ku ato nuk janë në dispozicion, do të gjenden alternativa.

“E gjitha varet nga kapaciteti i universitetit. Ne gjithashtu mund të përdorim profesorë për të dhënë mësim të mbuluar pas një perdeje, ose mund të përdorim edhe teknologjinë”, shtoi ai.