Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Talibanët ua ndalojnë grave afgane të këndojnë ose lexojnë në publik

QIKA 27.8.2024

Javën që shkoi, lideri suprem taliban, Hibatullah Akhundzada, aprovoi ligjin e ri të “veseve dhe virtyteve” i cili ndalon gratë dhe vajzat në Afganistan të shfaqin fytyrën e tyre dhe të flasin në publik.

Në kapitullin 13 të ligjit të ri thuhet se gratë obligohen të mbulojnë trupin e tyre gjatë tërë kohës sa janë në publik dhe se mbulimi i fytyrës është i domosdoshëm për t’iu shmangur joshjes dhe tundimit ndaj të tjerëve. Veshja nuk duhet të jetë e hollë, e ngushtë ose e shkurtër.

Tutje, zëri i një gruaje konsiderohet si intim dhe ato nuk lejohen të këndojnë, recitojnë, apo lexojnë me zë të lartë në publik. Është gjithashtu e ndaluar që gratë ta shikojnë një burrë me të cilin nuk janë në lidhje gjaku ose martesë, shkruan CNN.

Ligjet e reja po ashtu ndalojnë muzikën në hapësira publike, transportimin e grave që udhëtojnë vetëm, dhe përzierjen e grave dhe burrave që nuk kanë ndonjë lidhje me njëri tjetrin.

Muajin e kaluar, në një raport të OKB-së thuhet se ministria talibane po kontribuon në një rritje të frikës dhe intimidimit tek gratë afgane, dhe se roli i ministrisë po zgjerohet edhe në aspekte të jetës publike.

Fiona Frazer, shefja e shërbimit të të drejtave të njeriut në misionin e OKB-së në Afganistan, tha se “Qëndrimi i shprehur nga autoritetet de facto se kjo mbikëqyrje do të rritet dhe zgjerohet, jep arsye për shqetësim të madh për të gjithë afganët, veçanërisht për gratë dhe vajzat”.

Gratë dhe vajzat në Afganistan po jetojnë në një gjendje të vazhdueshme frike dhe dehumanizimi, ku shumë prej tyre shprehen se komuniteti ndërkombëtar po dështon të ushtrojë presion të mjaftueshëm. Disa ekspertë thonë se bota ka arritur të pranojë si normë dehumanizimin e grave dhe vajzave afgane.