Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Të burgosurat politike në Iran po përballen me torturë psikologjike

QIKA 5.5.2021

Aktivistet për të drejtat e njeriut të burgosura në Iran përballen me rritje të kufizimeve përgjatë burgimit dhe transferime në burgje me kushte “të rrezikshme dhe alarmante”, qindra milje larg familjeve të tyre.

Paralajmërimet për trajtimin e përkeqësuar të grave të burgosura në Iran vijnë disa ditë pasi Nazanin Zaghari-Ratcliffe, shtetase britaniko-iraniane e cila është dënuar me pesë vjet burg në Iran, u dënua edhe me një vit tjetër burg dhe një ndalim të udhëtimit për një vit.

Aktivistët e të drejtave të njeriut thanë se në gjashtë muajt e fundit një numër i madh i grave iraniane të burgosura për të drejtat e njeriut dhe aktivizëm politik janë zhvendosur nga burgu Evin në Teheran në burgjet jashtë kryeqytetit pa asnjë paralajmërim.

Gratë ishin mbyllur në të njëjtën zonë me kriminelët që kishin kryer vepra të rënda të tilla si vrasje. Aktivistet thanë se disa prej tyre ishin përdhunuar nga hetuesit, ishin sulmuar nga kolegët e burgosur ose iu ishte mohuar trajtimi mjekësor.

Shiva Mahbobi, zëdhënëse e Fushatës për Lirimin e të Burgosurve Politikë në Iran, e përshkroi këtë si një mënyrë për t’i nënshtruar gratë ndaj torturave psikologjike. “Gjendja është me të vërtetë keq. Rojet u marrin të gjitha gjërat personale; familjet e të burgosurave nuk e dinë se ku janë ato. Ka mungesë të ujit të pijshëm dhe prezencë të shumë sëmundjeve ngjitëse”, shtoi ajo.

Nasrin Sotoudeh, e burgosur për punën e saj në mbrojtjen e të drejtave të grave, u transferua nga burgu Evin në burgun Shahr-e Rey në tetor të vitit të kaluar. Në janar ajo u diagnostikua me një sëmundje në miokardi që shkakton komplikime të zemrës. Mjeku e këshilloi atë që të shmangë stresin dhe të qëndroj në hapësirë të ajrosur mirë. Por sipas Nassim Papayianni, aktiviste e Amnesty International në Iran, burgu Shahr-e Rey “ka kushte jashtëzakonisht të dobëta, nuk ofron qasje në ushqim të mirë, ilaçe dhe ajër të pastër.”

Zeynab Jalalian, një grua kurde iraniane, u zhvendos në katër burgje të ndryshme vetëm gjatë periudhës mes prillit dhe nëntorit të vitit të kaluar. Ajo i ka përshkruar transferimet nëpër burgje si një lloj torture mendore. Asaj nuk iu lejua të merrte me vete gjërat e saj personale, përfshirë këtu rrobat. Ajo poashtu tha se iu ishte refuzuar edhe kujdesi shëndetësor.

Në janar, Golrokh Ebrahimi Iraee u zhvendos në një burg gati 200 km më larg pa njoftim dhe u privua nga marrja e sendeve të saj personale. Në një letër të hapur, burri i saj shkroi se rojet e kishin tërhequr [aktivisten] zvarrë nëpër dysheme.

Papayianni tha se të gjitha gratë ishin dënuar padrejtësisht dhe duhet të lirohen. “Në Amnesty International, ne besojmë se asnjëra prej atyre grave nuk duhet të jetë fare në burg. Ne besojmë se të gjitha dënimet e tyre janë të padrejta dhe se ato duhet të lirohen menjëherë.” tha ajo.

Mahbobi në anën tjetër thotë se ajo po dyshon se këto transferime janë pjesë e një lëvizje politike për të mbyllur burgun Evin, ku mbahen tradicionalisht shumica e të burgosurve politikë. Kjo mbyllje do të tregonte një përpjekje për të deklaruar se Irani nuk arreston mbrojtësit e të drejtave të njeriut. “Kjo është me të vërtet alarmante. Nga njëra anë, shteti i transferon këta të burgosur në burgje që vënë në rrezik jetën e tyre e pastaj pretendon se shteti nuk ka asnjë të burgosur politik”, tha ajo.