Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Hollësisht

Ekofeminizmi; Feminizmi i së ardhmes?

Latra Demaçi 13.8.2021

Ekofeminizmi është një lëvizje filozofike dhe politike e cila kombinon çështjet dhe shqetësimet ekologjike me ato feministe. Kjo lëvizje shtjellon të gjitha këto çështje si rezultat i të njëjtit dominim dhe si pasoja të përhershmërisë së hierarkisë patriarkale në shoqëri. Ekofeminizmi është një ndër rrymat e pakta sociale që trajton dominimin patriarkal përbrenda shoqërisë, me të gjitha llojllojshmëritë e tij dhe në ndërlidhje me botën jonjerëzore.

Së pari, ekofeminizmi vë në pah se si hierarkitë socio-ekonomike supozojnë superioritetin e burrit, e të bardhëve, e të pasurve, të heteronormativitetit, kapitalizmit si sistem, e të gjitha atyre identiteteve të cilat në mënyrë dinake veshin të drejtën për të dominuar, rrjedhimisht duke lejuar shtypjen e identiteteve të cilat nuk bien në asnjërën prej këtyre kategorive, dhe duke siguruar vazhdueshmërinë agresive të kësaj hierarkie. Në anën tjetër, ekofeminizmi shpjegon se si qenia njerëzore poashtu supozon superioritet ndaj planetit, natyrës, dhe gjithë biodiversitetit të saj. Tashmë e përhapur dhe e konsoliduar, paradigma se natyra ekziston vetëm si një resurs për t’u shfrytëzuar është si rezultat i vetëveçimit njerëzor si qenie “tjetër”, e sofistikuar, e izoluar prej biomasës së planetit nga racionalja dhe egocentrizmi i inteligjencës njerëzore. Ky mentalitet arsyeton të drejtën e pavërtetë të shfrytëzimit të planetit si diçka të natyrshme, e cila rrjedhimisht ka sjellur krizën e sotme mjedisore që kërkon në mënyrë të pakontestueshme vëmendje dhe kundërveprim të menjëhershëm.

Me fjalë të tjera, ekofeminizmi është një kornizë teorike e cila shpjegon se këto botëkuptime të përbrendësuara; të së drejtës për të dominuar, shtypur, e shfrytëzuar, të së drejtës për privilegj e për vazhdueshmëri të sistemeve diskriminuese, nuk i takojnë asnjë identiteti dhe nuk janë në bazë të asnjë përkufizimi, të natyrshme. Ekofeminizmi thekson se i njëjti mentalitet i së drejtës për privilegj ekziston ndërmjet kategorive dhe identiteteve socio-ekonomike përbrenda shoqërisë, dhe pa dyshim edhe në raport me natyrën. Intervistat e realizuara me njohës të temës shtjellojnë se a është ekofeminizmi rryma më e duhur dhe gjithëpërfshirëse e cila adreson ndërlidhjen mes seksizmit dhe eksploatimit të mjedisit, aplikueshmërisë së ekofeminizmit në praktikë dhe përhapjes së tij në Kosovë.

Rrymat e Ekofeminizmit

Përkufizimi i lartpërmendur i ekofeminizmit shtjellon atë si një rrymë e cila ndërlidh çështjet ekologjike me ato feministe, ku merren parasysh pasojat joproporcionale mbi identitetet me dobësi socio-ekonomike të ndjellura nga sistemi kapitalist-patriarkal. Mirëpo, ky është larg nga interpretimi i vetëm politiko-filozofik i ekofeminizmit. Në fakt, për shkak edhe të etimologjisë së fjalës,  Janet Biehl, një ekologe sociale, kritikon ekofeminizmin si një ideologji e cila thjeshtëzon tejmase strukturat hierarkike dhe format dominuese, sidomos duke iu referuar faktit se ekofeminizmi lë pas dore klasat shoqërore dhe racat si kategori shtesë në bazë të së cilave gratë shtypen. Këtu, Janet Biehl ka ngritur çështjen e gjithëpërfshirjes në kornizat teorike të ekofeminizmit si rrymë, e cila adreson në mënyrë adekuate apo jo, ndërlidhjen mes seksizmit dhe eksploatimit të mjedisit. Me fjalë të tjera, Biehl ka theksuar nevojën e feminizmit ndërthurës në kuptimin e sistemeve shtypëse. Feminizmi i ndërthurur është një kornizë analitike për kuptimin dhe praktikimin më kompleks të feminizmit si lëvizje, e cila merr parasaysh se si identitetet e ndryshme politike dhe shoqërore të gruas njëkohësisht ndikojnë në mënyrën se si ato përjetojnë diskriminimin dhe shtypjen. Ndaj kritikës së Biehl, Mirishahe Syla, aktiviste feministe dhe këshilltare gjinore, shpjegoi se “Nëse e mendojmë feminizmin si të ndërthurur dhe rrjedhimisht edhe ekofeminizmin si të ndërthurur, nuk kemi zgjidhje tjetër pos ta mendojmë ekofeminizmin në ndërlidhje me çdo kategori sociale apo identitet tjetër. Do të thotë, në ndërlidhje me klasën, racën, gjininë, seksualitetin,  dhe çdo kategori apo identitet i cili shërben si bazë për t’u shtypur ose për t’u privilegjuar.”

Me fjalë të tjera, Syla ka shprehur se kur mendojmë për feminizmin si lëvizje, korniza analitike e ndërthurjes është e pandashme prej saj dhe rrjedhimisht e pandashme edhe nga ekofeminizmi si rrymë e veçantë. Me këtë interpretim të Sylës, ajo potencon se ekofeminizmi paraqet shtypjen e të gjitha kategorive në ndërlidhje me natyrën dhe përgjithësisht shfrytëzimin e të gjitha identiteteve jashtë botës njerëzore. Sipas kësaj, ekofeminizmi duhet të mendohet në princip si i ndërthurur, përtej perspektivës gjinore dhe përtej etimologjisë së fjalës.

Një interpretim tjetër mbi të cilin ekofeminizmi edhe kritikohet është ai esencialist i cili thekson paralelen ndërmjet gruas dhe natyrës në bazë të disa karakteristikave të përbashkëta. Ky interpretim përbashkon gruan dhe natyrën si nëna, të brishta, riprodhuese, “kultivuese”, si vatra të jetës, kujdesit, e empatisë. Me fjalë të tjera, kjo rrymë përbashkon gruan si nënë, si amvise, dhe natyrën si “nënën natyrë”, duke u bazuar në një mënyrë esencialiste në stereotipet mbi gruan, mbi po të cilat gruaja dhe natyra konsiderohen inferiore dhe rrjedhimisht shtypen. Në këtë kontekst, kritika më e madhe e cila i bëhet ekofeminizmit si kornizë politiko-filozofike qëndron në rrezikun e reduktimit të gruas në stereotipe “femërore”  të cilat limitojnë identitetin e gruas. Ky interpretim kundërshton përpjekjet e rrymave feministe për të konsoliduar gratë si individë me personalitete, agjenda dhe identitete më komplekse të cilat shkojnë përtej aftësisë së tyre biologjike për riprodhim dhe karakteristikave që vijnë bashkë me të. Përderisa Syla potencon domosdoshmërinë e feminizmit ndërthurës dhe qasjes përtej esencialistes të marrëdhënies së gruas me natyrën  në shtjellimin e  ekofeminizmit, Linda Gusia, Profesoreshë e Sociologjisë në Universitetin e Prishtinës, poashtu ka shprehur se ku ajo qëndron në spektrumin e interpretimeve të ekofeminizmit.

“Ekofeminizmi ka dy parime themelore, e para është propozimi që gratë dhe natyra janë historikisht afër njëra-tjetrës, qasje kjo që është shumë problematike për mua. E dyta është përcaktimi se sistemi kapitalist patriarkal është përgjegjës për problemet e grave dhe natyrës i cili është më i afërt me botëkuptimet e mia.”, deklaroi ajo.

Me fjalë të tjera, edhe Gusia i largohet botëkuptimeve se ka diçka instiktive e maternale e cila i bën gratë të kenë ndjeshmëri dhe dhembshuri më të madhe ndaj natyrës dhe përbashkon çështjet gjinore dhe ekologjike si pasoja të sistemeve të njëjta, atij kapitalist dhe patriarkal.  Për më tepër, gjatë këtyre intervistave, kemi rishikuar rrymën esencialiste duke nxjerrë një perspektivë tjetër. Për më tepër, sipas Shemsi Krasniqit, Profesor i Sociologjisë në Universitetin e Prishtinës dhe autor i librit “Ekokultura”, ekofeminizmi bën me dije se diçka duhet të ndërrojë në raportin tonë me natyrën.

“Materialiteti që buron nga logjika racionaliste dhe maskuliniste, duhet të balancohet me spiritualitetin, me respektin, kujdesin, emocionin, empatinë dhe dashurinë ndaj natyrës, që është më e shprehur te gratë sesa te burrat”, tha ai.

Këtu, Krasniqi jep një perspektivë tjetër mbi vlerat tipike femërore. Ai paraqet empatinë, kujdesin, dhe spiritualitetin e gruas si virtyte të cilat mund të sigurojnë ndryshime domethënëse mjedisore dhe si veçori të domosdoshme për të kompenzuar shkatërrimin mjedisor si rrjedhojë e sundimit të ideologjisë maskuliniste dhe kapitaliste në shoqëri. Me fjalë të tjera, promovimi i tipareve të gruas si karakteristika të rëndësishme në shtyrjen e ndryshimit, jodomosdoshmërisht redukton atë në stereotipe, dhe potencialisht mund të hapë rrugën e fuqizimit të vlerave të saj si virtyte dhe si kontribut në shoqëri. Në këtë kontekst, është e dobishme të shtjellojmë se përse vlerave ”tipike” të gruas u bashkangjiten ide me nuanca negative dhe trajtohen si vlera të padëshirueshme të cilat rrezikojnë mbarëvajtjen e një sistemi i cili kinse funksionon. Si përgjigje ndaj kësaj dileme Mirishahe Syla argumenton se ky përçmim i vlerave të gruas “ndodh sepse karakteristikat të cilat definojnë identitetin dhe punën e gruas, nuk konsiderohen të fuqishme nga burrat, dhe rrjedhimisht shkojnë të pallogaritura në shoqëri.”

Prandaj, edhe këto kritika ndaj interpretimeve esencialiste të ekofeminizmit janë të rrënjosura në një mizogjini të përbrendësuar si kompenzim i tendencës maskuliniste për të përçmuar natyrën e gruas dhe për të reduktuar gruan në një identitet njëdimensional i cili karakterizohet në mënyrë të izoluar me ato vlera. Çka duhet të marrim nga kjo, është se vlerat dhe natyra e gruas duhet të integrohen në agjendën e rrymave feministe duke potencuar kontributin e tyre në shoqëri, krahas shtyrjes për njohje të identitetit më kompleks të gruas. Kjo do të zhbënte paradigmën shoqërore se karakteristikat e ndjellura në qenien e grave janë në mënyrë biologjike inferiore, dhe do të krijonte parakushtet e fuqizimit të gruas për ato vlera të cilat e veçojnë, për të rrënjosur një herë e përgjithmonë se ato nuk janë baza për t’u shtypur dhe se gratë janë individë shumë më kompleks se aq.

Ekofeminizmi si kornizë për drejtësi mjedisore

Deri më tani kemi diskutuar rreth përkufizimeve dhe rrymave të ndryshme të ekofeminizmit si kornizë teorike. Me këtë në mendje, është e rëndësishme të shtjellohet më tutje se sa është aplikueshmëria e kësaj teorie, si duket ekofeminizmi në nivelet ligjore dhe politike, dhe përtej ekofeminizmit, cilat do të ishin qasjet më efektive në arritjen e drejtësisë mjedisore. Sa i përket aktivizmit të përgjithshëm mjedisor, Gusia ka deklaruar se “Ambientalizmin sipërfaqësor e karakterizon antropocentrizmi si formë e të menduarit sipas së cilës i gjithë ambienti jetësor është ambient njerëzor dhe se i gjithë ambienti jetësor duhet t’u përshtatet dhe t’u nënshtrohet interesave njerëzore.”

Me fjalë të tjera, Gusia ka vlerësuar se qasja antropocentrike, e cila në princip lartëson interesat njerëzore dhe të drejtën e përmbushjes së tyre, është aktivizëm sipërfaqësor i cili nuk adreson se po kjo qasje është rrënja e problemeve mjedisore. Duke konsideruar ekofeminizmin si një qasje alternative, mund të pyesim se sa fuqizimi i grave në nivele vendimmarrëse në hartimin e politikave mjedisore dhe më gjerë, do të ndikonte në adresimin adekuat të krizës mjedisore në botë. Në kuadër të kësaj dileme, Syla thotë se fuqizimin e grave nuk e sheh shumë të ndërlidhur me drejtësinë mjedisore, apo si diçka që neve na ndihmon ta sjellim atë.

“Më shumë e shoh ekofeminizmin si kornizë e cila na ndihmon ta shohim ndërlidhjen mes shtypjes gjinore dhe mjedisore dhe se si mund t’i ndalojmë apo zhdukim ato shtypje.”, shpjegoi ajo.

Ky qëndrim i Sylës rrjedh nga parakushti se fuqizimi i grave në këto hapësira vendimmarrëse do të bëhej mbi baza të identitetit të tyre gjinor, duke supozuar se identifikimi i gruas me natyrën do të çonte në politika adekuate të adresimit të krizës mjedisore. Në të njëjtën kohë, Syla nuk ka mohuar se gratë preken si grup i veçantë nga eksploatimi mjedisor, mirëpo ajo ka theksuar se kjo e fundit është si rezultat i pozitës së tyre shoqërore, jo sepse ato kanë një marrëdhënie të veçantë me natyrën në princip. Linda Gusia, poashtu ka mbajtur mendimin se pozita nga margjina që gratë e kanë, i bën më të cenueshme ndaj pasojave të kësaj krize dhe se propozimet për ndryshime radikale në mënyrën e jetesës janë e vetmja zgjidhje e problemit të krizës mjedisore. Për më tepër, vlen të potencohet se gratë, me natyrën e tyre apo jo, veç kontribuojnë në hartimin e politikave të ndryshme po aq sa edhe burrat, mirëpo sipas Sylës, ky kontribut nuk njihet apo emërohet në mënyrë formale dhe publike. Ajo shton se një mënyrë për evitimin e kësaj është njohja e angazhimit të grave në këto hapësira, ofrimi i hapësirës që ato të flasin në gjuhën e tyre sa i përket hartimit të këtyre politikave, gjë e cila rrjedhimisht do të qonte në fuqizimin adekuat të grave në këto pozita me shpresën e trajtimit serioz të çështjeve mjedisore.

Shemsi Krasniqi ka ofruar një perspektivë më spirituale dhe figurative mbi respektimin dhe ruajtjen e mjedisit.

“Çështja është si të forcohen edhe më tej emocionet ndaj natyrës te shoqëria njerëzore përgjithësisht; si të krijojmë një lidhje më të fortë shpirtërore, si të mësohemi ta trajtojmë natyrën si vlerë insintrike, pra jo si resurs material që na shërben neve, por si vlerë në vete dhe për vete; si ta kuptojmë lidhshmërinë, varshmërinë dhe ndërvarësinë mes qenieve të gjalla dhe jo të gjalla; si ta përjetojmë tokën si atdhe të përbashkët”, shtoi ai.

Këtu, Krasniqi ka shprehur se një lidhje spirituale me ambientin do të zhbënte qasjen e deritashme ku kemi krijuar një barrierë ndërmjet botës njerëzore dhe asaj jonjerëzore dhe ku kemi tjetërsuar natyrën si një tërësi të ndarë nga ne e cila ekziston për t’u shfrytëzuar. Në veprën e tij “Ekokultura”, Krasniqi vendos krizën ekologjike në kontekst të Kosovës, duke theksuar rëndësinë e traditave dhe riteve të cilat vetëm ekzistojnë në kulturën tonë, të cilat me shekuj kanë siguruar respektin dhe ruajtjen e mjedisit si një tërësi me agjencinë dhe të drejtën e saj për vazhdimësi harmonike në mënyrë të pavarur nga bota njerëzore. Më specifikisht, Krasniqi flet për ekologjinë sakrale si një mekanizëm mbrojtës i cili rrjedh prej miteve, riteve, kulteve dhe besimeve të thurura mbi format natyrore të cilat vendosin mjedisin në një pozitë të adhurimit hyjnorë, rrjedhimisht duke krijuar një distancë ndërmjet njeriut dhe natyrës. Në krahasim me kapitalizmin antropocentrik, ku kjo distancë trajton natyrën si një resurs material, ekologjia sakrale përulë botën njerëzore vetëm si një fragment i tërësisë së planetit me të drejtën e vazhdimësisë në harmoni, jo me botën jonjerëzore por me botën e gjallë. Me fjalë të tjera, për njeriun modern edhe pse politikat mjedisore kanë efektin e vet, duke rishikuar historinë njerëzore, ku kultura dhe traditat mbi hyjnoren kanë funksionuar si ligj në vetëdijen e atëhershme njerëzore, mund të supozohet se tradicionalja akoma luan rolin e saj, në mënyrë të trashëguar,  në nënvetëdijen kolektive të njerëzimit. Kështu, kthimi apo rikrijimi i një lidhjeje shpirtërore me natyrën, nëpërmjet kulturës mitologjike dhe spirituale e cila vetëm ekziston në traditën tonë, do të rizgjonte një ndërgjegje ndaj mjedisit e cila veçse jeton në nënvetëdijen tonë si qenie njerëzore.

Ekofeminizmi në Kosovë

Edhe pse në aspektin historik feminizmi është një term i vonshëm në skenën e lëvizjeve shoqërore në Kosovë, shumë lehtë mund të reflektojmë se si seksizmi ka qenë dhe është një ndër problematikat më aktuale në shoqërinë tonë. Për këtë arsye, kemi vlerësuar se do të ishte e dobishme të shtjellojmë se si ka evoluar feminizmi në Kosovë, a pasqyron përpjekjet dhe padrejtësitë ndaj të gjitha grave në ndërthurje me të gjitha identitetet e tyre, dhe sa është njohja e ekofeminizmit si rrymë.

Rreth kësaj çështjeje, Mirishahe Syla ka komentuar se ekofeminizmi akoma përdoret vetëm si kornizë për të shpjeguar se si grupet e ndryshme shoqërore shtypen, dhe nuk mendon se ka arritur si rrymë e veçantë e feminizmit në Kosovë. Sipas saj, Kosova akoma është në fazat e hershme të feminizmit të ndërthurur dhe se pa përbrendësimin e këtij koncepti nuk do të jetë i mundshëm kuptimi i ekofeminizmit si kornizë. Në atë rast, ekziston rreziku i kuptimit të ekofeminizmit në formë të reduktuar si ndërlidhje mes gruas dhe ekologjisë. Syla thekson se deri më tash, feminizmi në Kosovë ka marrë një narrativë në bazë të së cilës gratë e bardha shqiptare, kinse po krijojnë hapësirë për gratë me prapavija më pak të privilegjuara; nuk është ideja se hapësira veç se ju përket dhe se duhet të jetë e të gjithëve. Me fjalë të tjera, në vendin tonë feminizmi i ndërthurur krijon përshtypjen se përdoret si një mjet tjetër nëpërmjet të së cilit gratë e fuqishme, fuqizohen edhe më shumë, përderisa qëllimi i feminizmit të ndërthurur është që secili grup të jetë në gjendje ta definojë shtypjen në gjuhën e tij dhe jo të definohet nga një grup tjetër dominues.

Përfundimisht, në mënyrë që ta integrojmë ekofeminizmin si rrymë të veçantë për adresimin e diskriminimeve shoqërore në raport me natyrën,  duhet ta zhvendosim pikëpamjen e feminizmit asisoj që secila grua dhe secili grup i çfarëdo prapavije, të jetë i vetëdijshëm rreth shtypjes së tij, në termet e tij, dhe ato grupe të fuqizohen të krijojnë zgjidhje për veten e tyre, në kontekstin e tyre.

Ky artikull është shkruar për platformën QIKA, megjithatë pikëpamjet e autores nuk paraqesin domosdoshmërisht qëndrimet e QIKA.