Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

UN Women: 1 milion gra dhe vajza kanë mbetur pa qasje në ndihmë humanitare

QIKA 16.7.2026

Të paktën një milion gra dhe vajza kanë humbur qasjen në ndihmë humanitare dhe shërbime të tjera jetike gjatë 18 muajve të fundit, si pasojë e shkurtimeve të financimit ndërkombëtar, të cilin një raport i UN Women e cilëson si rënia më e madhe vjetore e ndihmës së huaj në histori.

Raporti bazohet në përgjigjet e 855 organizatave të udhëhequra nga gratë ose që mbrojnë të drejtat e grave, të shpërndara në 52 vende të prekura nga konflikti dhe krizat humanitare.

Sipas raportit, gati nëntë nga dhjetë organizata deklarojnë se nuk janë më në gjendje të përballojnë nivelin aktual të nevojave, ndërsa dy nga pesë organizata presin të mbyllen përkohësisht ose përgjithmonë brenda vitit të ardhshëm.

Gjatë një viti e gjysmë të fundit, shumë agjenci të OKB-së kanë reduktuar stafin, buxhetet dhe aktivitetet e tyre pas uljes drastike të ndihmës së jashtme amerikane, si dhe reduktimeve të financimeve nga donatorë të tjerë ndërkombëtarë, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar, Francën dhe Gjermaninë, shkruan The Guardian.

Të dhënat e fundit të Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD), të paraqitura në raport, tregojnë një rënie historike të ndihmës së huaj midis viteve 2024 dhe 2025.

Sipas OECD-së, Shtetet e Bashkuara kanë shkaktuar rreth tre të katërtat e kësaj rënieje, pasi ndihma amerikane për zhvillim u ul për më shumë se 50% në vitin 2025, krahasuar me vitin 2024.

Që nga rikthimi në detyrë në vitin 2025, administrata Trump ka ndërprerë miliarda dollarë nga ndihma e jashtme amerikane dhe ka mbyllur Agjencinë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID).

Në muajin maj, agjencia Associated Press raportoi se mbështetja amerikane për programet humanitare të OKB-së arrinte në 3.8 miliardë dollarë në 21 vende, një shumë që përshkruhet si vetëm një pjesë e vogël e asaj që SHBA ka kontribuar tradicionalisht.

Në njoftimin për publikimin e raportit, UN Women paralajmëron se pasojat e shkurtimeve globale të financimit tashmë janë të dukshme.

Sipas raportit, gjysma e organizatave të grave kanë krijuar lista pritjeje ose janë detyruar të refuzojnë gratë dhe vajzat që kërkojnë ndihmë.

Po ashtu, 92% e organizatave raportojnë rritje të varfërisë tek gratë që mbështesin, ndërsa 82% kanë vërejtur shtim të numrit të vajzave që braktisin shkollën.

Raporti paralajmëron gjithashtu se dhuna seksuale e lidhur me konfliktet është dyfishuar gjatë vitit 2025, derisa në të njëjtën kohë sistemet e krijuara për mbrojtjen e të mbijetuarave po shpërbëhen për shkak të mungesës së financimit.

Raportin e plotë e gjeni këtu.