Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

UN Women: Intensifikimi i sulmeve ushtarake në Rafah do të sjell shumë vdekje dhe përkeqësim të gjendjes së 700,000 grave

QIKA 14.5.2024

Me pesëfishimin e popullsisë në qytetin jugor Rafah, në Gaza, shëndeti fizik dhe mendor për gratë dhe vajzat janë përkeqësuar e po përkeqësohen me shpejtësi. Sipas të dhënave të mbledhura nga UN Women, rreziku i vdekjes dhe lëndimeve për 700,000 gra dhe vajza në Rafah do të përshkallëzohet, pasi ato nuk mund t’u shpëtojnë bombardimeve dhe vrasjeve.

Më shumë se 10,000 gra janë vrarë në Gaza që nga fillimi i luftës, mes tyre 6,000 nëna duke lënë pas 19,000 fëmijë jetimë. Siç e përshkruan një grua 45-vjeçare: “Nuk ka siguri. Kam frikë për jetën time, të burrit dhe të fëmijëve të mi. Nuk mund ta përshkruaj frikën në të cilën jetojmë”.

Të dhënat e anketës së OKB-së hedhin dritë mbi realitetin shkatërrues për jetët e grave dhe vajzave në Rafah:

Në Rafah janë rreth 700,000 gra dhe vajza që nuk kanë ku tjetër të shkojnë.

93% e grave shprehen se ndihen të pasigurta brenda shtëpive të tyre ose vendndodhjeve ku janë zhvendosur.

Mbi 80% e grave raportojnë shenja depresioni, 66% nuk janë në gjendje të flenë dhe mbi 70% kanë ankth të shtuar.

51% janë në një gjendje shëndetësore që kërkon kujdes urgjent mjekësor që nga fillimi i luftës, ndërsa mbi 62% e tyre nuk kanë mundësi të paguajnë për kujdesin e nevojshëm mjekësor.

Më shumë se 6 nga 10 gra të intervistuara që janë aktualisht shtatzëna ose kanë qenë shtatzënë që nga 7 tetori kanë  raportuar komplikime, duke përfshirë 95% që kanë raportuar infeksione të traktit urinar, 80% anemi, 30% kanë lindur parakohe dhe 50% çrregullime hipertensive.72% e nënave gjidhënëse raportuan se kanë sfida në ushqyerjen me gji dhe në plotësimin e nevojave ushqyese të foshnjave.

Gratë në Rafah po luftojnë për të mbrojtur mirëqenien fizike dhe mendore të fëmijëve të tyre, ndërkohë që mbajnë barrë në rritje të kujdesit dhe përgjegjësive shtëpiake, veçanërisht në tenda dhe familje të mëdha. 8 nga 10 (79%) të anketuar gra e burra deklaruan se nënat po marrin çdo ditë e më shumë përgjegjësi për të ofruar mbështetje emocionale për anëtarët e rritur të familjes dhe fëmijët.

“Gratë dhe vajzat në Rafah, si në pjesën tjetër të Gazës, janë tashmë në një gjendje të vazhdueshme dëshpërimi dhe frike. Një pushtim tokësor do të ishte përshkallëzim i papërballueshëm që rrezikon të vrasë mijëra civilë të tjerë dhe të detyrojë qindra mijëra të ikin përsëri. Ne duhet të mbrojmë civilët. Duhet armëpushim i menjëhershëm dhe shpërndarje e papenguar dhe e sigurt e ndihmës humanitare në të gjithë Gazën. Nevoja për paqe nuk ka qenë kurrë më urgjente.”, tha Sima Bahous, Drejtore Ekzekutive e UN Women.